Del në skenë edhe Devolli, te Besëlidhja nuk po gjejnë rehat për trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2019 | 17:12

Del në skenë edhe Devolli, te Besëlidhja nuk po gjejnë rehat për trajnerin

Pankina e Besëlidhjes që nga mbyllja e sezonit ka mbetur bosh. Që pas dorëheqjes së Vladimir Gjonit, në Lezhë nuk po gjejnë “derman”. Duke e ditur se objektivat nuk ndryshojnë dhe do të kërkohet sërish ngjitja në Kategorinë Superiore, drejtimi teknik i kësaj skuadre nuk do të refuzohej edhe nga emra të njohur të trajningut shqiptar të futbollit.

devolli

Samuel Nikaj dhe Elvis Plori nuk e përjashtuan mundësinë për t’u afruar, por gjithnjë nëse gjendet akordi për ndërtimin e një ekipi kompetitiv. E megjithatë, gjithçka ka mbetur në vendnumëro. I radhës që del në skenë është Bledar Devolli, i cili në sezonin e fundit drejtoi ekipe si Kamza, Tomori e Kastrioti, madje me këta të fundit luftoi deri në fund për mbijetesën.

E megjithatë, sipas burimeve të besueshme pranë tij, gjirokastriti ka të tjera ambicie. Ai preferon që të mos largohet nga elita, ndërkohë që është edhe në bisedime me disa syresh. Duke iu referuar këtyre burimeve dhe atyre brenda Besëlidhjes, Devolli nuk është kontaktuar ende, por gjithçka mbetet e hapur. Tashmë është kthyer në traditë te Besëlidhja e dekadës së fundit, që kur në fund të sezonit ka largim të trajnerit, zëvendësimi i tij të bëhet në fillim të korrikut. Me shumë gjasa, kështu do të ndodhë edhe këtë sezon, pra, edhe java në vijim ndoshta nuk do të ketë edhe zhvillime.

 

Por, nuk përjashtohet as opsioni që pankina t’i besohet ndonjë lezhjani dhe pas viteve ’90, trajningut i janë shtuar disa emra, duke filluar nga Ritvan Kulli, Alban Bruka, Vesel Sokoli, Gjergj Filipi, Hasan Hoxha, Gledis Lani, Alert Alcani, Alket Kruja e deri te të rinjtë që sapo janë licencuar, si Anteu Pepa, Mirsad Gruda apo Dritan Smajli etj.

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"