Del Boske: Fitojmë dy takime e kualifikohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2014 | 20:48

Del Boske: Fitojmë dy takime e kualifikohemi

Del BoskeVinsente Del Boske pret që Spanja e tij të bëjë kthesën në takimin e dytë ndaj Kilit, që do të luhet nesër në stadiumin “Marakana” të Rios. Kampionët në fuqi tashmë ndihen më mirë dhe trishtimi i dështimit ndaj Holandës ka kaluar. Tekniku i “furisë së kuqe” ka në plan të bëjë ndryshime ndaj kilianëve dhe u kërkon tifozëve që të mos tremben nga ndërhyrjet. Objektivi i kampionëve në fuqi të botës është që të fitojnë dy takimet e mbetura dhe në këtë mënyrë të mund të sigurojnë kualifikimin për në 1/8-at.
Si është gjendja e lojtarëve pas humbjes së thellë ndaj Holandës?
Orët kalojnë dhe çdokush ndihet më mirë. Ne duam që të fitojmë në dy ndeshjet tona të radhës. Nuk do të jetë e lehtë, por sigurisht që është e mundur. Ne jemi duke u përgatitur mirë dhe po punojmë që futbollistët të mos jenë të demoralizuar. Duhet të kënaqemi me veten dhe lojën tonë.
Keni folur me portierin Kasijas pas paraqitjes në takimin e parë?
Ne folëm rreth situatës aktuale dhe se si t’i ndryshojmë gjërat. Kasijasi është prekur, ashtu si çdo lojtar tjetër, as më shumë e as më pak.
A do ta lini atë në stol?
Ne duhet të menaxhojmë situatën me 23 lojtarët që kemi në përbërje. Që të gjithë janë në gjendje perfekte. Kundër Holandës kemi luajtur një pjesë të parë shumë të mirë dhe një të dytë të dobët. Ne u pezmatuam, por kjo s’ka të bëjë fare me dëshirën që mund të kemi. Ky është futbolli. Ne duhet të rikthehemi në gjendjen tonë të zakonshme dhe e kemi mundësinë që të bëjmë kështu.
A do të ketë ndryshime përballë Kilit?
Nëse do të ketë ndryshime, s’është injorim për asnjë. Ne do të shikojmë që të bëjmë atë çfarë është më e mira për ekipin. Asnjë nuk duhet të alarmohet nga ndryshimet që mund të bëjmë. Mbi sistemin është ekipi. Mund të ketë dy ose tri ndryshime. Ne jemi në këtë situatë që jemi dhe duhet që ta menaxhojmë siç duhet. Jemi elastikë, por disa gjëra ne do t’i mbajmë.
Mendoni se do ta lini pas këtë gjendje të vështirë?
Çdo lojtar nga ne ndihet sikur mund ta kalojmë këtë gjendje.
Ekipi ka marrë shumë kritika në ditët e fundit…
Unë nuk inatosem me ato çka lexoj në ditët e sotme. Çdokush ka mendimin e vet dhe realisht ka shumë qëndrime…
A do vazhdoni të mbani të njëjtën natyrë sportive edhe nëse zhgënjeni në Brazil?
Nëse ne nuk do të fitojmë, kjo do të vijë sepse rivalët do të jenë më të mirë se ne dhe, pavarësisht se do të humbim, sërish do të mbajmë të njëjtën natyrë sportive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"