Deklarata surprizë e Guardiolës: Siti nuk është për Champions, objektiv kemi çerekfinalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 12:11

Deklarata surprizë e Guardiolës: Siti nuk është për Champions, objektiv kemi çerekfinalen

Objektivi i Mançester Sitit në Europë këtë sezon do të jetë vetëm… të kalojnë Bazelin. Tingëllon çuditshëm deklarata e Pep Guardiolës në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së parë kundër zviceranëve sot në Zvicër, edhe pse skuadra e tij aktualisht konsiderohet më e forta në kontinent.

“Nuk e di, nuk e di nëse jemi gati apo jo për të triumfuar. Unë kam besim total te djemtë pa dyshim. Ata e dinë. Por ky është një kompeticion i veçantë dhe nuk e di. Objektivi ynë do të jetë të bëjmë më mirë se sezonin e shkuar, pra të shkojmë në çerekfinale dhe në termat afatshkurtër kjo mjafton”, tha katalanasi.

guardiola

SANE – Ai ka marrë një lajm fantastik përpara ndeshjes dhe ai është fakti që Sane mund të jetë surpriza e tij në fushë ndaj Bazelit. Sulmuesi gjerman, i cili u dëmtua në kavilje ndaj Kardifit në fund të janarit, është gati të rikthehet në fushë 5 javë përpara afateve të mjekëve: “Jam i surprizuar. Ai ka punuar shumë. Nuk e prisja sesa profesionist është treguar dhe fizioterapisti ishte perfekt. Nuk është në gjendje perfekte fizike, por do të na ndihmojë. Ai është me ne dhe ky është një lajm i mirë”.

BAZELI – Por çfarë mendon tekniku spanjoll për skuadrën e Xhakës? “Në Champions, ata luajnë me një mbrojtje me 5 veta dhe bënë disa paraqitje të shkëlqyera në fazën e grupeve. Janë të fortë dhe të mirorganizuar në mbrojtje, por edhe në kundërsulm. Ua kam thënë lojtarëve të mi se do të jetë shumë e vështirë, veçanërisht këtu. Por ne jemi optimistë dhe mendoj se mund të luajmë mirë këtu”.

siti

Guardiola ka ardhur me Barcelonën në “St. Jakob-Park” në hapat e tij të parë europianë me katalanasit si trajner. “Ishte një moment emocionues për mua, sepse ishte viti i parë në stolin e Barcelonës, ishte ndeshja ime e parë në Ligën e Kampioneve”, iu përgjigj kësaj pyetjeje në gjermanisht spanjolli, i cili e mësoi gjuhën prej kohës së tij në Mynih. “Jam shumë i lumtur që jam përsëri këtu. Ne përpiqemi të imponojmë lojën tonë në çdo ndeshje që prej 18 muajsh që jemi së bashku. Cilësia e kundërshtarit në Champions është më e lartë. Shpresojmë ta kontrollojmë dhe kualifikohemi”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"