Deklarata e dyshimtë e Panuçit, Shqipëria do luajë fort me Spanjën dhe do tolerojë me Italinë?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 9:30

Deklarata e dyshimtë e Panuçit, Shqipëria do luajë fort me Spanjën dhe do tolerojë me Italinë?

“Italia do të shkojë në Botëror dhe kur kjo skuadër shkon aty, e di mirë edhe rrugën drejt finales”, ka thënë Panuçi në një intervistë për FIFA-n. Nuk ka gënjyer. Italia është një ndër ekipet më të forta në planet dhe nuk e ka fituar rastësisht katër herë Kupën e Botës. Por ja që kur e thotë këtë fjali trajneri kundërshtar, në këtë rast Panuçi, që pavarësisht se është italian, këtë herë përfaqëson Shqipërinë, atëherë deklarata merr përmasa dhe interpretime të tjera.

panuci bulku

Natyrisht, Italia i ka të gjitha shanset që të shkojë në Botëror dhe ta fitojë atë, por deri tani matematikisht nuk e ka siguruar këtë rezultat. Për këtë arsye, deklarata e Panuçit është komentuar gjatë nga mediat italiane, të cilat i kanë kujtuar Panuçit se është kundërshtar i Italisë (rasti i “Sportmediaset.it”)…

Pikërisht në lidhje me këtë gjë, kur trajneri u pyet nga gazetarët shqiptarë, pat thënë se “edhe nëse përballë do të kishte babanë, ai nuk do të bënte kurrë kompromis dhe do të donte ta mundte patjetër…”. Ndërkohë, kur flet për FIFA-n, është më realist dhe pa dyshim më i butë: “Jam i bindur se Italia do të shkojë në Botëror dhe nëse ajo e bën këtë, atëherë e di mirë rrugën edhe për në finale…”.

Tifozët shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve janë “injektuar” me hijen e dyshimit, me të drejtë të pyesnin: “Mos vallë Shqipëria do të luftojë fort kundër Spanjës për ta ndalur dhe të tregohet e butë me Italinë, me qëllim që kjo e fundit të sigurojë vendin e parë?”. Duket e vështirë të besohet, apo ama ca pyetje në kokë ua fut tifozëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe spanjollëve. Ku i dihet, në çdo rast do të ishte një rezultat i bujshëm për Shqipërinë, pavarësisht se kujt i bën nder…

DEKLARATA

Interesimi mbi Shqipërinë dhe trajnerin e saj shtohen kur përballë janë Spanja dhe Italia. Tekniku i përfaqësueses kuqezi është intervistuar nga “FIFA.com” në lidhje me përballjen e radhës kundër Spanjës, por edhe për shanset e Italisë për kualifikim.

“Është një moment delikat për Venturën, pasi kombëtarja po kalon një fazë tranzicioni, por trajneri duhet lënë i lirë që të bëjë punën e tij. A do kualifikohet? Nuk e di. Italia është e mësuar që të jetë në Botëror dhe ka ende shanse për t’ia dalë. Unë shpresoj që ata t’i arrijnë finalet e Botërorit.

Në fakt, jam i sigurt që do t’ia dalin dhe do kualifikohen. Dhe kur Italia shkon, ata e dinë si ta bëjnë të mundur mbërritjen deri në finale”, ka deklaruar ndër të tjera trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, në një intervistë të dhënë për “FIFA.com”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"