Degradon fusha e stadiumit, Kastrioti sërish larg Krujës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2019 | 18:43

Degradon fusha e stadiumit, Kastrioti sërish larg Krujës

Nis sot java që pritet të sjellë zhvillime të shumta në kampin e Kastriotit. Pritet takimi final mes presidentit Vogli dhe trajnerit Ndreu, ku gjasat janë të kemi zyrtarizimin e teknikut 51-vjeçar.

Kastrioti

Më pas do të caktohet data e fillimit të përgatitjeve dhe lëvizjet që do të bëhen në skuadër, në dalje dhe në hyrje. Aktualisht, nga Kastrioti ka vetëm largime lojtarësh që u ka përfunduar kontrata apo huazimi. Me zyrtarizimin e trajnerit, do të nisin afrimet e para, që pritet të jenë cilësore, duke qenë se objektivi është rikthimi në Superiore.

INFRASTRUKTURA – Nëse para disa vitesh FIFA e cilësonte si vend ideal për të luajtur futboll, sot stadiumi “Kastrioti” është katandisur si mos më keq. Projekti i rikonstruksionit u premtua prej më shumë se një viti, kur Kastrioti u ngjit në Superiore, por ende asgjë.

Capture

Deri tani nuk është vënë dorë në këtë stadium dhe gjasat janë që të jetë në këtë gjendje edhe për disa kohë, derisa FSHF-ja dhe Bashkia e Krujës të gjejnë gjuhën e përbashkët për nisjen e punimeve të projektit që parashikon një stadium bashkëkohor. “Panorama Sport” u interesua pranë Bashkisë Krujë për të disatën herë, por askush nuk jep shpjegime për stadiumin, që ditaditës po degradon. Gjendja aktuale e stadiumit e detyron Kastriotin të “migrojë” në “Redi Maloku”, ku gjeti “strehë” sezonin e shkuar.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"