“Defekti ynë, dimë të vrapojmë, por…”, Alegri: Makabi ekip fizik! Juventusi është gati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 12:54

“Defekti ynë, dimë të vrapojmë, por…”, Alegri: Makabi ekip fizik! Juventusi është gati

Rrallëherë sheh një Maks Alegri që të ndalojë makinën e tij në hyrje të qendrës stërvitore të Juventusit, por mesa duket atmosfera është përmirësuar ndjeshëm pas suksesit me Bolonjën.

ALEGRI

Dueli i së mërkurës mbrëma në “Allianz Stadium” është shumë i rëndësishëm për t’u gabuar, prandaj trajneri nuk ngurron që të bëjë apelin e parë për izraelitët.

“Kur unë flas për thjeshtësi në futboll shumë nuk e kuptojnë këtë, pasi ka disa që duket se kuptojnë futboll më shumë se unë dhe ndoshta mund të jetë edhe kështu…

Por kundër Bolonjës ishte pikërisht thjeshtësia që e bëri të lehtë mënyrën se si fituam. Qëndruam kompaktë dhe mbi të gjitha nuk shkuam të gjëmojmë kot topin në zona të vdekura duke humbur energji. Nëse sheh statistikat, ne jemi skuadra që mes favoritëve për titull në Itali jemi ajo që ka vrapuar më shumë.

Por pikërisht kjo do të thotë se e kemi bërë në mënyrën e gabuar, përderisa në fund nuk kemi marrë fitoret që prisnim. Një tjetër aspekt që më bëri shumë të lumtur është fakti se qoftë titullarët, ashtu sikurse ata që zbritën nga stoli, bënë gjithçka mirë në fushë dhe ky është aspekti që bën diferencën.

Ndaj, tani t’i japim vazhdimësi suksesit me Bolonjën, edhe pse të mërkurën do të ketë shumë duele për të luftuar.

Kaq i fortë Makabi? Nuk janë një skuadër e lehtë. Janë një ekip fizik dhe bazojnë shumë në përplasjet e forta në çdo repart. Gjithsesi, për ne kjo është një sfidë që duhet fituar me çdo kusht, pasi në këtë mënyrë mund të japim shkëndijën e parë dhe të shpresojmë që edhe nga dueli tjetër mes PSG-së dhe Benfikës të vijnë lajme të mira”, tha Alegri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"