Dedja zhvendos stërvitjen për të “spiunuar” Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2017 | 11:22

Dedja zhvendos stërvitjen për të “spiunuar” Flamurtarin

Lushnja nis të mendojë për Flamurtarin. Hysen Dedja ndryshoi enkas orarin e stërvitjes së djeshme, për të “studiuar” kundërshtarin e radhës. Përgatitjet nisën në orën 11:00 dhe pas përfundimit të stërvitjes, trajneri ka udhëtuar drejt Vlorës për të ndjekur nga afër ndeshjen përmbyllëse të javës së 10-të, atë mes Flamurtarit dhe Skënderbeut.

lushnja

“Është e kuptueshme arsyeja që e bëmë stërvitjen e ditës së enjte, diçka para mesditës. Në një orar, që më dha mundësinë për të ndjekur nga afër kundërshtarin e radhës. Kam ndjekur takimin Flamurtari-Skënderbeu. Kanë qenë ditë që kemi ulur dozat e stërvitjes. Më tepër kemi punuar nga ana tekniko-taktike, që t’i përshtatemi kundërshtarit. Ndoqa takimin Flamurtari-Skënderbeu dhe jam njohur më shumë me skuadrën vlonjatë”, tha fillimisht për “Panorama Sport” trajneri.

Më tej, ai thekoi se prania e tifozëve do i ndihmonte së tepërmi në ndeshjet që luajnë në shtëpi. “Nga bisedat që kam pasur me skuadrën, kemi një mendim, që duhet ta shfrytëzojmë në maksimum terrenin tonë, pra ndeshjet që do të luajmë në shtëpi. Unë nuk e kuptoj dot stadium pa spektatorë. E kemi shumë të nevojshme ndihmën e tyre. Me ta, sigurisht që jemi më të fortë dhe më të karikuar.

E shoh që impenjimi në skuadër është maksimal. Gjithsecili dëshiron për të dhënë më të mirën, që nga kapiteni Sefa, që është një shembull për të marrë dhe për të kaluar te portierët Spaho dhe Bejte. Këtë kontribut që japin në stërvitje, kërkoj që ta shfaqin edhe me Flamurtarin”, deklaroi shkodrani i stolit të Lushnjës.

Sakaq, ekipi dje zhvilloi një test-kontrolli, ku ka afruar nga skuadra e të rinjve, mbrojtësin Marius Korreshi dhe mesfushorin Bledi Fejzaj. Surpriza ka qenë pjesëmarrja e mesfushorit 35-vjeçar, Fatjon Topi, i cili është pa skuadër.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"