Dedja rikthehet në Shkodër: Jemi në pozita të barabarta me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 11:55

Dedja rikthehet në Shkodër: Jemi në pozita të barabarta me Vllazninë

Lushnjarët kanë përfunduar dy seancat stërvitore që kishin në dispozicion për ndeshjen me Vllazninë dhe duken të gatshëm për sfidën me kuqeblutë në “Loro Boriçi”. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja, u shpreh: “Kjo është gara që kemi. Kuptohen problemet për të cilat u shty ky takim.

hysen-dedja-lushnje

Nuk kishte terren ku të luanim. Po kështu, si për ne, edhe për Vllazninë i takon që të luajmë brenda tri ditëve dhe jemi në kushte të barabarta, në aspektin e lojës dhe të lojtarëve. Është një takim mjaft i rëndësishëm. Jemi dy skuadra në pozita të njëjta. Më vjen ende keq për atë 90- minutësh me Flamurtarin që nuk morëm rezultatin pozitiv për atë çka dhanë çunat në fushën e lojës. Mendoj se edhe sot ndaj Vllaznisë atë gjendje do të kemi.

Pavarësisht se kundërshtari do të shfrytëzojë fushën e tij, ne do të luajmë për të marrë rezultatin pozitiv. Duhet ta shfrytëzojmë momentin ku jemi dhe të marrim pse jo edhe fitoren”, tha Dedja.

EKIPI – Lushnjarët zhvilluan një seancë të lehtë në mesditë dhe, në orët e para të mbrëmjes së djeshme, udhëtuan drejt Shkodrës. Te verdhejeshilët është rikuperuar Brunild Pepa, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Vllaznisë. “Jam i gatshëm për këtë ndeshje dhe i motivuar për të dhënë më të mirën. Është një ambient që e njoh dhe kam besim se do të bëjmë një tjetër ndeshje të mirë. Na duhet pak fat për ta konkretizuar me rezultatin pozitiv.

Lushnja

E rëndësishme është që skuadra ka besim për këtë ndeshje”, deklaroi “ish”-i Pepa. Klubi lushnjar ka konfirmuar mungesën e Arbër Mones që është i skualifikuar. Mesfushorët Hermes Shkullaku dhe Gentian Çela vijojnë të jenë të dëmtuar. Dedja pritet të konfirmojë skuadrën me të cilën u përball ndaj Flamurtarit, me ndryshimin e vetëm që Magani mund të luajë që nga minuta e parë.

PRECEDENTËT – Lushnja njeh vetëm një barazim, në pesë përballjet e fundit në “Loro Boriçi”, të arritur më 16 majin e 2009- ës. Sinani shënonte për Vllazninë dhe Bubeqi për Lushnjën.

Lushnja precedentet

Fitorja e fundit e Vllaznisë i përket 15 dhjetorit të 2013-ës, 2- 0, me dygolëshin e Bushiç. Lushnja ka 39 vjet që nuk fiton në Shkodër. Ka qenë sezoni ’78- ’79, kur lushnjarët fitonin për herë të fundit në “Loro Boriçi”, 2-1, me golat e Vangjel Naçit dhe Kapllan Pepës. Ndërsa për Vllazninë shënonte Medin Zhega.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"