Dedja “ndez” Shkodrën: I marrim pikë Tiranës, përballen dy fanella shumë të rënda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 11:46

Dedja “ndez” Shkodrën: I marrim pikë Tiranës, përballen dy fanella shumë të rënda

 

Hysen Dedja “ndez” Shkodrën. Pas dy barazimeve në krye të Vllaznisë, trajneri pret që e para fitore të vijë në kryeqytet. Përballë do të kenë Tiranën që kryeson kampionatin, por kjo nuk e tremb 59-vjeçarin. Ai paralajmëron se skuadra e tij do të luajë si e barabartë përballë “kandidatëve” për titull, ndonëse shpreh hapur keqardhjen që sot kuqeblutë i rivalizojnë si një ekip i vendit të 8-të. Gjatë konferencës së dhënë për mediat, numri një i stolit u ndal edhe te gabimet e 180 minutave të fundit.dedjaaaa

Pak kohë në dispozicion për të përgatitur Tiranën. A është gati Vllaznia për këtë përballje?

Ne e dimë se ndeshjet janë të ngjeshura. Me këtë kohë që patëm në dispozicion, u munduam që të përmirësojmë ato gabime, të cilat u shfaqën në pjesën e dytë për Teutën në Kupë dhe me Bylisin në kampionat. Nuk duam të përsëriten më. Jemi dy skuadra më histori të madhe, por që në këtë takim jemi me dy kahe të kundërt. Ato kërkojnë “fronin” e kampionit dhe ne duam t’i largohemi “play out”- it. Ne kemi folur me skuadrën para seancave stërvitore dhe ua kam bërë të qartë se jemi të barabartë, pasi në fund të fundit luajnë dy fanella të rënda. Ne do të përballemi si të barabartë në psikologji. Duhet që të shfrytëzojmë mungesën e tifozëve dhe ta vëmë atë në të mirën tonë.

Ka optimizëm në skuadër?

Unë mendoj se jemi optimistë, edhe ata vetë duan të luajnë si të barabartë. Duke përjashtuar humbjen, çdo rezultat tjetër për ne është pozitiv.

Doni të thoni që ju mjafton edhe një barazim?

Po. Rezultat pozitiv do të quaja jo vetëm fitoren, por edhe barazimin.

Pas Bylisit shfaqët shumë rezerva. A e analizuat atë barazim?

Po, janë analizuar dhe unë nuk do të kthehem më pas në kohë. Besoj se nuk do të na përsëriten më lojëra të tilla.

A janë të gjithë lojtarët e gatshëm për këtë sfidë?

Kemi mungesa. Marku dhe Hygor janë të dëmtuar dhe nuk do të udhëtojnë me ne. Por jemi të përgatitur për të tilla gjëra në këtë periudhë.HYSEN DEDJA

Një përballje kaq historike, a ju bën nostalgjik?

Të tilla përballje, përherë më bëjnë nostalgjik. Këtë kam kërkuar t’ia injektoj edhe grupit. Kam në ekip lojtarë që janë përballur për të fituar kampionate e Kupa ndaj Tiranës. Siç vjen Tirana për të kërkuar fitore në Shkodër, atë do të bëjmë edhe ne nesër (sot) në kryeqytet. Nuk harroj ku ne ishim për kampionë dhe ato me kahe të kundërt, vinin dhe kërkonin fitore në Shkodër. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne. Janë dy ekipe me traditë…

Do të ketë ndryshime në formacion dhe çfarë keni ndryshuar në mbrojtje, meqenëse Vllaznia po pëson shumë lehtë?

Ndryshime do të ketë. Nuk do të jenë të shumta, por gjithsesi jemi edhe të kushtëzuar. Do të hedh në fushë një ekip që t’i përshtatet taktikisht edhe Tiranës. Duke ditur egon dhe dëshirën e tyre për t’u kthyer te fitorja pas humbjes në Durrës, jemi munduar që të rregullojmë gabimet që kemi shfaqur. Ajo që kam parë në stërvitjet e këtyre ditëve, më bën që të ndihem optimist. Nuk i trembemi, por shkojmë për të rritur lojën tonë dhe pse jo për të marrë rezultat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"