Dedja merr zemër pas barazimit me Luftëtarin: Lushnja ime fiton ndaj shkodranëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2018 | 15:15

Dedja merr zemër pas barazimit me Luftëtarin: Lushnja ime fiton ndaj shkodranëve

Trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja, e shikon pozitivisht të ardhmen e skuadrës verdhejeshile.

Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai theksoi se, pas dy barazimeve radhazi, skuadra synon të mbërrijë te fitorja.

Dedja2

“Kuptohet, unë isha i bindur që skuadra ka rritje. Që në periudhën përgatitore, pra, më 5 janar, që jemi grumbulluar në Durrës. Kisha besim shumë te kjo skuadër dhe vazhdoj të kem besim. Pavarësisht rezultatit 0-0 në fushën tonë, mendoj se me Luftëtarin pikët i kemi humbur ne.”

“Por, duke parë që skuadra gjirokastrite vinte pas katër fitoreve radhazi, me lojtarë shumë cilësorë brenda, jam i kënaqur me lojtarët, pasi që të gjithë pa përjashtim i kryen detyrat më së miri. Me ndonjë gabim të vogël, por sërish them se jam i kënaqur, duke filluar nga kapiteni Sefa dhe me radhë te portieri, mbrojtësit, që nuk u lanë hapësira kundërshtarëve për të na goditur.”

“Ajo kuptohet kur mobilizohesh për këta kundërshtar, që janë të shpejtë në kundërsulm. Me më tepër kujdes për veprimet mbrojtëse e kishim të vështirë për të dalë te goli. Patëm mundësi, por nuk ia dolëm. Megjithatë, unë jam i kënaqur”, është shprehur fillimisht Dedja.

Dedja

Ndërkohë, të shtunën Lushnja pret në një “finale” mbijetese Vllazninë. Trajneri shkodran beson se do arrijë të thyejë skuadrën që, dy dekada më parë, e ka nxjerrë kampione.

“Kjo lojë më jep shpresë. Edhe një herë e përsëris që kishim nevojë për pikët e plota, por mendoj që ditën e shtunë skuadra do të mbërrijë te fitorja pas dy barazimeve radhazi. Gjej rastin të falënderoj spektatorin lushnjar që na u afrua dhe na mbështeti. Pra, ka besim te ne dhe do t’ia shpërblejmë.”

“Gara e Lushnjës për mbijetesë është reale. Është shumë e mundur. Nuk e them sepse drejtoj Lushnjën, por janë vetë këta lojtarë, me përgatitjen, me stërvitjen, që janë të gatshëm për gjithçka, duke më lënë për të shpresuar deri në fund. Pa diskutim që në ndeshjen e radhës do të synojmë vetëm tri pikët”, përfundoi kreu i pankinës lushnjare.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"