Dede i kënaqur përgjysmë pas miqësores së Dinamos me Laçin: Keqardhje për rezultatin, dua lëvizje të zgjuara në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2023 | 21:15

Dede i kënaqur përgjysmë pas miqësores së Dinamos me Laçin: Keqardhje për rezultatin, dua lëvizje të zgjuara në merkato

Dinamo pati disa momente të mira loje gjatë miqësores me Laçin. Blutë përballuan mirë një kundërshtar të Superiores dhe loja e rezultati u japin atyre besim para sfidës së Kupës së Shqipërisë me Kastriotin, që luhet më 18 janar.

Dede

Trajneri Nevil Dede u dëgjua shpesh të këshillonte të tijtë në lojë, por edhe t’i komplimentonte ata. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” ai u shpreh: “Mund të them se jemi të kënaqur me atë që kemi bërë gjatë kësaj periudhe. Nga ky test morëm përgjigjet që prisnim. Kam vetëm pak keqardhje për rezultatin, edhe pse është në plan të dytë.

Jo se bëmë ndonjë gjë të madhe, por i kishim mundësitë ta fitonim ndeshjen. Bëmë ato dy gabime në fund, por pak rëndësi ka tani. Për ndeshjen e parë të këtij viti me Kastriotin kemi ende kohë, janë edhe 10 ditë, ndaj dhe nuk mund të flasim tani. Gjendja është përgjithësisht e mirë. Merkato? Do të shohim çfarë mund të bëjmë, e mira nuk ka fund. Na duhet të bëjmë lëvizje të studiuara dhe të zgjuara, duke marrë më të mirën e asaj që ofron merkatoja e dimrit. Të rinjtë? Kemi rastin e Simonit, ishim me fat që e kishim. Tani të shohim”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"