Debutoi në Superiore, portieri i ri Prençi: Dua të luaj shumë vite me Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2017 | 11:20

Debutoi në Superiore, portieri i ri Prençi: Dua të luaj shumë vite me Korabin

Korabi po shkon nga humbja në humbje në kampionat. Klubi është mes shumë problemeve dhe duket se te dibranët presin me padurim të mbyllet ky sezon. Megjithatë, në përbërje të skuadrës ka edhe lojtarë që duan të afirmohen, pasi nuk kanë luajtur asnjëherë në Kategorinë Superiore.

prenci

Një prej tyre është edhe portieri Endri Prençi, i cili debutoi me fanellën e Korabit në elitë, pikërisht në ndeshjen e dy ditëve më parë në Laç. Endri është futur në rrugën e bukur të babait Kujtim, një ish-futbollist i njohur, si dhe të vëllait të tij, titullar në mbrojtjen e Korabit.

“Kjo ishte një mundësi për këtë djalosh për të vazhduar rrugën e bukur të nisur nga babai i tij, Kujtim Prençi, dhe më pas edhe nga vëllai që luan te Korabi, mbrojtësi Elvis Prençi. Mendoj se Endri ka kohën e duhur tani që të afirmohet dhe të vijojë në karrierën e tij si portier”, ka thënë drejtori i Korabit, Fehmi Mëziu.

Ndërkohë, vetë portieri i ri, mes emocioneve, flet për gazetën, duke theksuar se ëndërron të bëhet një portier i madh.

“Së pari, dua ta falënderoj stafin teknik që bëri të mundur aktivizimin tim në këtë përballje të vështirë me Laçin. Shpresoj që kjo ndeshje të mos jetë vetëm e para, por të shërbejnë si një portë hapëse e karrierës sime në ekipet elitare. Kështu, shpresoj që do të aktivizohem edhe në takime të tjera. Dua të luaj për shumë vite me ekipin e Korabit”, deklaroi portieri Prençi.

Ndërkohë, lojtarët e Korabit ditën e hënë e kanë bërë pushim dhe sot, në orën 10:00, do të nisin stërvitjen në kuadër të takimit të radhës me Skënderbeun. Trajneri Gerd Haxhiu do të ketë nën urdhrat e tij edhe mbrojtësin Ardit Peposhi, i cili mungoi në Laç.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"