Debutoi në Korçë me fanellën e Egnatias, Redi Kasa: Këtu më frymëzon gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 17:29

Debutoi në Korçë me fanellën e Egnatias, Redi Kasa: Këtu më frymëzon gjithçka

Ka ardhur vetëm para pak ditësh tek Egnatia, por shqiptari i lindur në Parma të Italisë tashmë ka kryer testin e tij të parë zyrtar në ndeshjen e fituar nga Egnatia në Korçë ndaj Skënderbeut. Një takim ku debutimi ishte me 90 minuta të plota. Mesditën e djeshme, edhe pse e ka pasur të vështirë të flasë lirshëm e pastër gjuhën shqipe, Redi Kasa nuk ka nguruar të shprehë emocionet e tij të prezantimit, posaçërisht për “Panorama Sport”.

redi kasa

Kasa e thotë të parën gjetjen e një ambienti të mrekullueshëm. Lojtari ka pohuar se ndryshe nga eksperiencat e mëparshme, tek Egnatia gjithçka që kryen me grupin e futbollistëve e frymëzon. E pa në ndeshje që skuadra ka kolektivitet të mirë në fushën e lojës dhe e sheh dhe ndesh përditë në stërvitje rregullin, disiplinën e seriozitetin që ka një skuadër tamam profesioniste. Për tri nga pyetjet tona në lidhje me debutimin, kampionatin dhe golin, Redi Kasa tregon e zbulon gjithçka nga ditët që po stërvitet, ka nënshkruar kontratën dhe po luan tashmë në futbollin shqiptar, me një ekip me shumë ambicie si Egnatia…

DEBUTIMI – “E prita me emocione takimin tim të parë dhe u gëzova sigurisht që në fund ishte Egnatia, skuadra që festoi. Luajtja 90 minuta dhe paraprakisht dua t’u them faleminderit drejtuesve për këtë besim që patën tek unë. Ndeshja mendoj se u pa qartë që anoi më shumë nga Egnatia sepse rastet për shënim ishin më tepër nga ne. Pavarësisht këtij fakti, ndeshja ishte e pëlqyeshme edhe për mua si prezantim i parë edhe për skuadrën në tërësi. Në Kupë një fitore jashtë hap shanse të plota për të kapërcyer më tej dhe nga sa pashë te ky takim, Egnatia do të kalojë në çerekfinale dhe do të jetë një ekip që do të synojë të shkojë deri në fund të këtij kompeticioni”.

KAMPIONATI – “Pozita e mirë në renditje është një shans tjetër që në ndeshjet e kampionatit të luaj dhe kontribuoj sa më shumë e sa më mirë për skuadrën. Do të luajmë të dielën në Durrës, që është disa shkallë më poshtë se Egnatia në renditje. Por në futboll asnjëherë nuk shihet pozicioni, por lufta sportive në fushën e lojës. Në kampionat do të ketë sigurisht edhe më shumë motivim. Disa lojtarë që kanë ardhur gjatë ditëve të fundit vihet re se janë të etur për të treguar sa më mirë aftësitë dhe talentin e tyre. Përditë e më tepër, falë edhe kërkesave të stafit teknik, futbollistët e Egnatias i shoh tepër të motivuar dhe besoj se dhe në kampionat Egnatia do të tregojë më së miri ambiciet e saj”, u shpreh sulmuesi që eksperiencën e fundit në futbollin elitar që ka pasur në kampionatin bullgar.

Ai më tej vazhdon: “Atje luhet një futboll fizik, ndërsa pashë nga ndeshja me Erzenin që barazuam 1-1 dhe unë isha në pankinë, po edhe te takimi me Skënderbeun, se Egnatia luan mirë në aspektin teknik, ka një manovër të qartë sulmuese, e cila mbështetet te harmonia e bashkëveprimi mes reparteve”.

GOLI – “Shpresoj se nuk do të vonojë dhe goli im të ndihmojë në çdo rast ecurinë e mirë të skuadrës. Nuk kam komplekse për të vuajtur ngarkesën psikologjike. U përkas atyre lojtarëve që luaj përpara me idenë se kushdo që të shënojë nga sulmuesit apo dhe nga lojtarët e tjerë, merita i takon pikësëpari skuadrës, drejtuesve të saj dhe pa diskutim edhe tifozëve. Tek Egnatia vë re që edhe në stërvitje vijnë na ndjekin shumë tifozë dhe kjo tregon se këtu e duan shumë futbollin. Jam me fat dhe dua të jap edhe unë gjithçka për skuadrën time të re, Egnatian”.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"