Debutoi në Eurobasket me Turqinë/ Kush është tropojani që basketbollin e mësoi në Prizren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2022 | 22:10

Debutoi në Eurobasket me Turqinë/ Kush është tropojani që basketbollin e mësoi në Prizren

Qendra Erxhan Osmani (213 cm) të enjten u paraqit në ndeshjen e parë të Turqisë në “Eurobasket 2022” ndaj Malit të Zi. Osmani, 24-vjeçar, vlerësohet lart në Turqi, kurse hapat e parë në basketboll i ka marrë në Kosovë, saktësisht në Prizren, para një dekade. 

auto_osmani1-sp1662049866

I lindur në Tropojë, shtatlarti Osmani ishte larguar nga Shqipëria për t’u shkolluar në Prizren, në gjimnazin “Loyola”, në vitin 2012. Aty edhe kishte filluar të merrej me basketboll, ndonëse nuk kishte luajtur më parë. Gjatësia e djaloshit tropojan kishte bërë që trajneri Ramush Rushiti ta ftonte të bashkohej në shkollën e basketbollit “Junior 06”.

Rushiti të enjten për KOHËN ka folur për zhvillimin e Osmanit në shkollën e tij për dy vjet, përpara se ta dërgonte në Turqi për ngritje të mëtejme.Takimin e parë me Osmanin trajneri prizrenas e mban mend shumë mirë.

“Ti djalosh ke përmasa për t’u bërë basketbollist i jashtëzakonshëm”, ishin fjalët që Rushiti ia tha Erxhan Osmanit, që fillimisht kishte hezituar për t’u përfshirë në lojën e basketbollit.

Rushiti thotë se për Osmanin ishte njoftuar nga një lojtare që e kishte në shkollën e basketbollit dhe që shkollohej në gjimnazin “Loyola”. Asaj i kishte rënë në sy gjatësia e Osmanit, që ishte mbi dy metra.

“Erxhani ka qenë në një gjimnaz këtu në Prizren për shkollim. Atëbotë kishim një gjeneratë të kadetëve në shkollën e basketbollit, “Junior 06”, dhe po ashtu ekipin e vajzave. E kisha një lojtare, Andrra Nurkollari, që më tregoi për një djalë të gjatë në shkollën e saj. Kështu që një ditë shkova për ta takuar, ku u befasova me përmasat e tij dhe më lindi ideja ta ftoja në shkollën e basketbollit”, kujton Rushiti. “Ishte i gjatë, por i dobët. Kështu që i thashë të fliste me prindin e tij në Tropojë dhe të vinte për të stërvitur tek unë”.

Pasi bindi prindin e Erxhanit, Rushiti duhej të merrte leje edhe prej gjimnazit, i cili nuk i lëshonte nxënësit që ishin të vendosur në konvikt që të largoheshin.

“Shkolla ishte rigoroze sa i përket daljes së nxënësve dhe me drejtorin e saj bëra marrëveshje që ta merrja Erxhanin për të stërvitur dhe pastaj ta ktheja”, tregon Ramush Rushiti.

Për dy vjet Osmani luajti me gjeneratën e lindur në vitin 1998. Edhe pse nuk ishte marrë më herët me basketboll, zhvillimi i tij ishte i hovshëm.

“Ka luajtur në ligën e kadetëve dhe kemi punuar gati dy vjet. Hapat e parë në basketboll i ka marrë tek unë dhe zhvillimi i tij ka qenë i shpejtë. Ai ka pasur shkathtësi. Përveç gjatësisë, ka qenë edhe shumë i lëvizshëm dhe punëtor i madh”, thotë Rushiti.

Image

Pas dy vjetësh tek “Junior 06”, Rushiti, që kishte kontakte me disa klube në Turqi, vendosi ta dërgonte Osmanin për prova.

Trajneri prizrenas nuk çuditet që Osmani ka arritur të jetë pjesë e Përfaqësueses së Turqisë dhe po luan në Eurobasket, ngjarjen më të madhe kontinentale. Madje, pret edhe më shumë prej tropojanit duke pasur parasysh potencialin që posedon. Fillimisht Osmani u provua tek Efes Pilseni për të përfunduar tek të rinjtë e ekipit Bandirma BK.

Shtatlarti prej vitit 2014 ka qenë pjesë e gjeneratave të reja të Bandirmas përpara se të promovohej në ekipin e parë në vitin 2018. Te Bandirma luajti deri në vitin 2020 për t’iu bashkuar Beshiktashit, ndërsa tani është pjesë e Darushafakas.

“Po të mos besoja në potencialin e Erxhanit nuk do ta kisha dërguar në Turqi në moshë aq të re”, thotë Rushiti.

Edhe Osmani në një intervistë të mëparshme për KOHËN ka treguar se hapat e parë si basketbollist i mori në Prizren, ku ishte vendosur për shkollim më të mirë. Ai kishte thënë se ka nostalgji për kohën e kaluar në Prizren.

“Në Prizren shkova nga Tropoja, me rekomandimin e familjarëve për një shkollim më të mirë. Gjatë qëndrimit tim në qytetin e Prizrenit fillova të luaja edhe basketboll, ku më pas nisa të stërvitesha në disa ekipe të qytetit. Mund të them se që nga këtu nisi rrugëtimi im në basketboll, që më dërgoi në Turqi ku po zhvillohem edhe më tej”, pati thënë Osmani , që ishte në dilemë se cilin shtet ta përfaqësojë – Shqipërinë, Kosovën apo Turqinë. “Ka kohë për të vendosur se cilin vend do ta përfaqësoj, pasi jam i lidhur si me Shqipërinë ashtu edhe me Kosovën e Turqinë”.

Ai vendosi për Turqinë dhe tashmë debutoi në Eurobasket. Të enjten luajti gjashtë minuta në fitoren 72:68 kundër Malit të Zi. Ndaj Malit të Zi Osmani pati dy bllokada, një top të vjedhur dhe dy topa të humbur. Kjo ndeshje u luajt në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku do të luhen duelet e Grupit A, të cilin e përbëjnë edhe Gjeorgjia, Spanja, Bullgaria e Belgjika.

Më herët për Turqinë prej basketbollistëve shqiptarë kanë luajtur edhe Ermal Kuqo e Yll Kaçaniku. Në kategoritë e reja ishin paraqitur edhe disa shqiptarë të tjerë.

MARRË NGA “KOHA.NET”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"