Debutimi me Junajtid, Karrik në timon për herë të parë: Do të shihni personalitetin tim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 12:37

Debutimi me Junajtid, Karrik në timon për herë të parë: Do të shihni personalitetin tim!

Pranon se e ka mësuar për shkarkimin e Ole Gunar Solskjaerit vetëm në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur u bë edhe zyrtarizimi nga klubi. Në konferencën e parë për shtyp si trajneri provizor i “Djajve”, Majkëll Karrik, paralajmëroi ndryshime në skuadër në sfidën e sotme kundër Vijarealit dhe tha se ai do të aplikojë idetë e tij të lojës.

KERRIK

“Ndryshime në qasjen e lojës? Do të presim dhe shohim. Unë kam punuar pranë me Olen dhe kemi shumë filozofi të ngjashme. I kemi pasur si futbollistë dhe sigurisht edhe si trajnerë.

Sigurisht që unë kam personalitetin tim në krahasim me Solskjaerin, por ne jemi shumë të ngjashëm dhe prandaj kemi punuar së bashku për kaq shumë kohë.

Nuk do të tregoj shumë gjëra në lidhje me planet e mia, por jam shumë i qartë në mendjen time se si duam të luajmë dhe mezi po pres për ta parë këtë në fushë”, tha ish-mesfushori i Junajtidit. 40-vjeçari ishte një nga njerëzit kryesorë në stafin e norvegjezit. Ai merrej me seancat stërvitore dhe punonte për taktikën.

Në lidhje me shkarkimin e teknikut, Karrik tha: “Unë kam punuar me të për tri vite dhe ishte shumë emocionuese. E njoh se çfarë njeriu është dhe vlerat që ka. Të shihja Olen të humbiste punën e tij të dielën ishte shumë e vështirë për mua dhe për shumë njerëz në klub”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"