Debutime nga stoli në fushë, Kukësi e ka historike me Egnatian/ Longo dhe shtatë lojtarë provojnë për herë të parë Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 14:25

Debutime nga stoli në fushë, Kukësi e ka historike me Egnatian/ Longo dhe shtatë lojtarë provojnë për herë të parë Superioren

Egnatia–Kukësi mund të cilësohet ndryshe edhe si ndeshja e debutimeve në kampin verilindor, për shkak se shumë aktorë në këtë skuadër do të luajnë ndeshjen e tyre të parë në Superiore.

Kukesi stervitje

Në fakt, edhe përballja midis këtyre dy skuadrave është një debutim më vete, pasi asnjëherë në historinë e tyre këto dy klube nuk kanë luajtur me njëra-tjetrën në Superligë. Janë përballur dy herë në Kupë dhe kanë nga një fitore secila, por gjithsesi në kampionat nuk kanë pasur asnjëherë mundësi që të ndeshen mes tyre, prandaj kjo sfidë ka edhe një rëndësi historike.

DEBUTIMI I LONGOS – E gjithë vëmendja në këtë ndeshje të parë është te trajneri i Kukësit, Diego Longo. Ish-ndihmësi i Mirçea Luçeskut do ta ketë ndeshjen e tij të parë zyrtare si një trajner i parë, e veçantë si për të, por edhe për vetë klubin. Deri më tani Longo ka zhvilluar disa takime miqësore me Kukësin e tij dhe paraqitjet kanë qenë të mira, por gjithsesi është tjetër histori një ndeshje kampionati.

Vetë tekniku është shprehur më herët se mezi po e pret këtë debutim, i cili ka emocionet, por edhe përgjegjësitë e veta. Një takim që ka edhe vlera historike për të, ndaj do të kërkojë ta nisë me këmbën e mbarë aventurën e tij te Kukësi dhe në Superiore.

DEBUTIMI I PEJIÇIT – Pero Pejiç është një emër i njohur në Superligën shqiptare, por si lojtar dhe për më tepër një sulmues që la gjurmë.

Në 164 ndeshje në elitën e futbollit shqiptar shënoi 114 gola, shifra të një bomberi race. Mirëpo, ai do të ketë debutimin e tij si drejtor sportiv, një pozicion më delikat dhe me përgjegjësi njëkohësisht. Ndonëse vetë nuk do të ketë mundësi të lërë “shenjë” në fushë, janë lojtarët që ai ka afruar ata që do ta “nderojnë” ose jo në këtë debutim të tij në këtë rol të ri. Ndeshja e parë, edhe pse është herët për të dalë në verdikte, është një test edhe për afrimet në merkato.

DEBUTIMI I LOJTARËVE – Duke qenë se Kukësi ka bërë kryesisht një merkato jashtë vendit, pritet të jetë i madh edhe numri i lojtarëve që presin të debutojnë në Kategorinë Superiore.

Në fakt, jo të gjithë do të kenë mundësinë të luajnë në këtë ndeshje, por gjithsesi disa prej tyre mund të thuhet se është e sigurt që do të aktivizohen, duke parë që shihen si të rëndësishëm për skemat e trajnerit. Kështu, bëhet fjalë për shtatë futbollistë që presin të debutojnë, si: Pablo de Lukas, Kreshnik Bahtiri, Viktor Feijao, Edi Basha, Alija Kërniç, Artiom Puntus dhe Luka Milunoviç.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"