Debutim pas 59 ditësh, Donaruma: Milani e shkuara, tani po shijoj PSG-në

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2021 | 9:31

Debutim pas 59 ditësh, Donaruma: Milani e shkuara, tani po shijoj PSG-në

PSG-ja vazhdon të shkëlqejë në Ligën 1 franceze, teksa pasditen e djeshme parisienët kanë siguruar fitoren e 5-të radhazi në po kaq ndeshje në kampionat. Edhe pse pa yjet, si Nejmar e Mesi në fushë, skuadra e Poçetinos mposhti thellë 4-0 Klermonë ku aktivizohet sulmuesi i Kosovës, Elbasan Rashani.

DONARUMA 2

Ishte një ndeshje pa shumë histori, ku shkëlqeu mesfushori spanjoll Ander Herrera i cili realizoi dopietë brenda pjesës së parë. Në pjesën e dytë, Mbape realizoi të tretin, ndërsa Geje vulosi rezultatin në 4-0. Një fitore e thjeshtë për PSG-në që këtë sezon në Francë nuk ka konkurrente dhe shihet si një ndër skuadrat më favorite për të triumfuar në Ligën e Kampioneve.

DEBUTIMI I DONARUMËS – Në sfidën e së shtunës më në fund erdhi momenti për të debutuar në këtë sezon edhe për Xhanluixhi Donarumën. Portieri u transferua këtë verë në Paris pas largimit nga Milani ku i përfundoi kontrata. 22-vjeçari e argumentoi si zgjedhje profesionale largimin nga klubi ku u formua, teksa për të provuar fanellën e re iu desh të priste 59 ditë. Sfida me Klermonë do të mbetet e veçantë për të pasi shënon fillimin e aventurës së re e cila nisi me fitore, por sidomos pa pësuar. Në fakt, ai ishte spektator pa pagesë, duke qenë se kundërshtarët nuk ia vunë kurrë në provë cilësitë të cilat ia kemi admiruar në vitet milaniste dhe në kombëtaren “axurre”.

Mes Superkupës dhe kampionatit, parisienët kanë zhvilluar pesë ndeshje, gjatë të cilave në portë ka qenë gjithmonë Keilor Navas. Debutimin e Donarumës e festoi edhe profili “Twitter” i PSG-së që e uroi italianin për prezencën e parë me ekipin e ri. Vetë Donaruma ka bërë një deklaratë të shkurtër pas ndeshjes, duke shpjeguar edhe ndjesitë e debutimit. “Milani i përket së shkuarës tashme.

Tani shijoj PSG-në dhe kjo ndeshje e parë mund të them se ishte emocionuese. Falënderoj shokët dhe tifozët të cilët më kanë mbështetur. Ishte shumë bukur të luaja këtë sfidë”, tha gardiani i cili në axhendën e tij tashmë ka si qëllim debutimin në Ligën e Kampioneve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"