Debutim me kualifikim në Europë, Sherri: Fitorja e Laçit kishte dhe pak sukses shkodran, Zhunior ndryshoi krahun te penalltia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2020 | 17:55

Debutim me kualifikim në Europë, Sherri: Fitorja e Laçit kishte dhe pak sukses shkodran, Zhunior ndryshoi krahun te penalltia

Alen Sherri ka qenë një nga “heronjtë” e kualifikimit të Laçit për në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Portieri shkodran i kurbinasve arriti të presë 11- metërshin e pestë të azerëve të Keshlas, ku Laçi vulosi një tjetër sukses historik. Në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport”, “gardiani” i portës laçiane ka treguar emocionet që përjetuan në atë takim dhe pas kualifikimit, por edhe për atmosferën në skuadrën e re. Sherri tregon edhe atë çfarë u tha shokëve të ekipit pas 90 minutave, duke u shprehur bindjen e tij te suksesi nëse do të shkonin te penalltitë.
Capture
Portieri pohoi se kishte shpresa të priste penalltinë e ish-shokut të ekipit, Silvio Xhunior, por braziliani i ndryshoi drejtimin duke mos vepruar si zakonisht. Nga Vllaznia u largua i pavlerësuar, por i mjaftoi vetëm një ndeshje me Laçin në Europë për të treguar vlerat dhe ambiciet e tij. Ai nuk ndien keqardhje për largimin, madje ndihet i lumtur me atë që ka arritur me kurbinasit që në debutimin zyrtar.

E para ndeshje zyrtare me Laçin dhe Sherri bëhet hero. Si ndiheni pas kualifikimit?
Për mua heronj ishin të gjithë pa asnjë përjashtim. Të gjithë ata që ishin në Azerbajxhan, nga i pari tek i fundit, të cilët luftuan për 120 minuta dhe i dhanë të gjitha në fushën e lojës janë heronjtë e suksesit të Laçit. Unë thjesht bëra atë që duhet të bëja, duke shikuar të gjithë sakrificën e ekipit deri në fund të takimit e madje edhe në goditjet e 11-të metërshave. Ndihem shumë i lumtur, sepse e di çfarë rëndësie kishte kjo ndeshje.

I lodhshëm kualifikimi në shtesë apo shijoi më shumë?
Pas marrjes së kartonit u vështirësuan më shumë gjërat për ne, plus që edhe lodhja e presioni rritet me kalimin e minutave. Në përfundim të 90-minutëshit u thashë shokëve të ekipit se po ta çonin ndeshjen me penallti, do ishim fitue dhe ata e bënë pjesën e tyre.
alen sherri

Kur erdhi puna te penalltitë, çfarë menduat?
Mendova për çdo sekondë që nata e së enjtes ishte jona. Pasi kishim sakrifikuar shumë për të arritur në atë moment dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kisha shumë besim që sido që të shkonin goditjet e penalltive, ne do dilnim fitimtarë në fund. Kisha shpresë te penalltia e Xhunior, pasi njiheshim shumë mirë te Vllaznia për sa u përket penalltive, por ai ndryshoi krahun që godet zakonisht. Por pastaj arrita që të kap penalltinë e fundit.
Laci

Jeni në turin e dytë, por cilin kundërshtar do të donit t’ju rezervonte shorti?
Pandemia i ka zvogëluar shumë diferencat mes ekipeve. Sido që të jetë shorti, kam besim tek ekipi dhe ne do bëjmë lojën tonë duke luftuar deri në fund për një tjetër kualifikim.

Çfarë bëtë pas kualifikimit, qëndruat në Baku apo u kthyet direkt?
Pas ndeshjes s’kishim shumë kohë, pasi kishim fluturimin në orën 2 me orën e Azerbajxhanit, kështu që konsumuam darkën dhe u nisëm direkt për në aeroport.
alen sherri

Kishit vite që e ëndërronit me Vllazninë pjesëmarrjen në zonën “Euro” dhe ia arritët me Laçin… Ka vend për keqardhje?
Normal që si shkodran, dëshira është e madhe që të arrish suksese me ekipin e qytetit tënd. Po jo gjithmonë dëshira bëhet realitet, por që këtë gjë e arrita me ekipin e Laçit dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë dhe gjej rastin të falënderoj presidentin dhe stafin për besimin e dhënë. Ishte një sukses edhe pak shkodran, pasi Laçi drejtohet nga trajneri Cungu dhe në portë ishte Sherri.

Duhet të ndihen krenarë në Shkodër?
Në fakt, ne kishim edhe një shkodran tjetër, një mungesë të rëndësishme për ekipin tonë. Bëhet fjalë për Abdurrahman Fangajn, i cili pësoi një dëmtim sezonin e kaluar dhe pret që të rikuperohet. Është edhe meritë e atij djali që ekipi është në këto nivele.

U zbardh edhe kalendari i Superiores… sezoni nis me Bylisin. Të kënaqur?
Jemi njohur me kalendarin e Superiores dhe ndeshja tjetër në Europë pas Bylisit vjen shumë shpejt. Ne kemi filluar stërvitjen që në fillim të gushtit, kështu që jemi të përgatitur edhe për kampionatin. Shpresoj ta nisim me këmbë të mbarë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"