Debutim me humbje, por Egnatia është rritur/ Çfarë duhet të dini për ekipin rrogozhinas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2022 | 21:18

Debutim me humbje, por Egnatia është rritur/ Çfarë duhet të dini për ekipin rrogozhinas

Duke parë bilancin e deritanishëm të Egnatias në Kategorinë Superiore me ekipet e këtij sezoni, dallon epërsia ndaj Laçit (fitoret 5-2 e golavarazhi 9-4) në favor të Egnatias, ekuilibri (2-2 në fitore me Kastriotin sikurse dhe golavarazhi i barabartë 5-5 me këtë skuadër), dhe ngushtësia e humbjeve (2-3 në fitore ndaj Vllaznisë dhe 10:11 e shifrave të golavarazhit ndaj shkodranëve).  Me skuadrat e tjera Partizani, Tirana, Teuta, Kukësi, bilanci i rrogozhinasve është negativ.

Egnatia

-24.6 vjeç ishte mosha mesatare e formacionit fillestar të startit që Egnatia paraqiti në Elbasan ndaj Partizanit. Lojtari më i ri ishte Ojediron Hamzat (18 vjeç), i federuar, madje vetëm në orët e fundit para sfidës së të shtunës që kaloi. Lojtari më “i vjetër” (30 vjeç) ishte mbrojtësi Emiljano Musta. Edhe pas 4 ndërrimeve të kryera kjo mesatare moshe nuk ndryshoi, por qe sërish e njëjtë, 24.6 vjeç.

-Të tria debutimet në Kategorinë Superiore të Egnatias në 3 pjesëmarrje të tyre janë mbyllur me humbje. E para më 28.08.2004 ndaj Tiranës 0-2 (ndeshje e luajtur në Peqin), e dyta në Rrogozhinë më 12.09.2021 ndaj Kukësit dhe e treta 1-2 ndaj Partizanit me 20.08.2022 (luajtur në Elbasan). Në këtë ndeshje më të fundit ishte madje Egnatia, fillimisht në avantazh (nga minuta e 32-të e pjesës së parë me shënues Ilir Camajn), por më pas të kuqtë përmbysën gjithçka, duke përfituar edhe nga shtesa 8- minutëshe që u dha në këtë takim.

-Lojtari me numrin më të madh të ndeshjeve në “elitë” është Emiljano Musta (306) dhe pas tij Donald Mëllugja (208) e pas tyre Sadiq Atanda (165). Por në kuotën e mbi 100 ndeshjeve janë portieri Shkodran Alen Sherri (122), fieraku i mesfushës Redon Mihana (121) dhe shkodrani i mbrojtjes Abdyrrahim Fangaj (108).

-Bënë debutimin tre futbollistë në kampionatin shqiptar me fanellën e Egnatias. Konkretisht mbrojtësi Erbin Zejnullahi, mesfushori brazilian Medeiros Fernando dhe sulmuesi shqiptar nga Mali i Zi, Ilir Camaj. Madje ky i fundit shënoi edhe golin e parë në këtë sezon të ri për ekipin rrogozhinas.

– Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, bëri të parin debutim si trajner kryesor në Kategorinë Superiore. Pas durrsakut Renato Arapi që drejton Teutën (datëlindja 28.08.1986), Edlir Tetova, ndërkohë ishte në javën e parë trajneri i dytë më i ri në moshë (datëlindja 14.04.1983). Para se të vinte në këtë detyrë Tetova ka qenë zëvendëstrajner te Tirana kur këtë skuadër e mori afro dy vite më parë durrsaku Orges Shehi.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"