Debati vazhdon pas ndeshjes. Dosti dhe Aleksi nuk kursehen edhe larg fushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2017 | 17:33

Debati vazhdon pas ndeshjes. Dosti dhe Aleksi nuk kursehen edhe larg fushës

Megjithëse ishte ndeshja e parë e kampionatit, lojtarët e Teutës dhe Luftëtarit ishin shumë nervozë në sfidën e djeshme. Në minutat shtesë, Albi Dosti i durrsakëve dhe Albano Aleksi i gjirokastritëve u përfshinë në një përplasje mes tyre. Situata precipitoi deri kur Dosti goditi në fytyrë Aleksin duke i tërhequr edhe veshin. Madje, u desh ndërhyrja e lojtarëve të tjerë që sherri të shuhej dhe futbollistët të mos vazhdonin më me përplasjen edhe pas përfundimit të takimit.

dosti beqja cyrbja

DOSTI

Numri dhjetë i Teutës, i cili shërbeu në mënyrë perfekte për Shehajn në rastin e golit të dytë, shprehet se përplasja me mesfushorin gjirokastrit erdhi pasi ky i fundit kishte lëshuar një lumë të sharash përgjatë të gjithë ndeshjes. “Së pari jam shumë i lumtur që arritëm të fitonim në një ndeshje shumë të vështirë. Luftëtari u mbrojt me forca të shumta dhe e patëm të vështirë për të gjetur hapësira në prapavijën e tyre. Gjithsesi, këmbëngulëm dhe arritëm të shënonim dy herë, duke siguruar një trepikësh me shumë vlera për skuadrën tonë.

Sa i përket rastit të incidentit me Albano Aleksin, dua të them se jam ndier i provokuar përgjatë gjithë lojës nga ai. Është përpjekur të më nervozojë duke më sharë gjatë të gjithë lojës. Futbolli luhet me këmbë dhe jo me gojë. Gjithsesi, ky ishte një incident që i ngelet fushës së lojës dhe ndodh në futboll. Por, s’ka asnjë hatërmbetje nga ana ime”, ka përfunduar mesfushori.

ALEKSI

Ndërsa mesfushori i Luftëtarit, Albano Aleksi e ka konsideruar si të qëllimtë për ta dëmtuar ndërhyrjen e mesfushorit Dosti në fund të ndeshjes. Sipas tij, Dosti ka ndërhyrë në mënyrë brutale dhe antisportive. “Dosti ndërhyri në mënyrë të qëllimtë për të më dëmtuar. Nuk e kuptoj arsyen e kësaj dashakeqësie të Dostit. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me atë, ndaj nuk arrij të kuptoj se përse donte të më dëmtonte me ndërhyrje. Gjithsesi, kjo i ngelet fushës së lojës dhe nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’i uroj suksese Dostit”, tha Aleksi.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"