Debati Troisi-Longo, “shpërthen” ish-anëtari i bordit të Flamurtarit: Të paaftë, na hapën barkun. Do ishin te klubi i lagjes nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2023 | 20:38

Debati Troisi-Longo, “shpërthen” ish-anëtari i bordit të Flamurtarit: Të paaftë, na hapën barkun. Do ishin te klubi i lagjes nëse…

Saimir Haxhiu “shpërthen” për debatin mes ish-trajnerit dhe trajnerit aktual te Flamurtarit. Ish-anëtari i bordit në klubin vlonjat dhe djali i legjendës Mexhit Haxhiu, nuk i ka kapërdirë dot polemikat që zgjasin prej disa ditësh mes Marcelo Troisit dhe Diego Longos.

saimir haxhiu

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai u bën thirrje që dy të kenë respekt për presidentin Sinan Idrizi, pasi falë tij janë aty ku janë. Shkon edhe më larg, ndërsa i cilëson edhe të paaftë. “Vlora nuk ka kohë të presë sa të justifikoni ju paaftësitë tuaja o trajnerë, se na hapët barkun”, thotë i revoltuar ish-futbollisti. Ai sqaron se ky debat nuk i bën mirë Flamurtarit, ndaj i bën thirrje Troisit të shikojë punën e tij, ndërsa Longos të përmbushë objektivat.

“Përplasja mes dy trajnerëve është gjëja më pa kuptim në këtë situatë dhe nuk e ndihmon fare skuadrën në këtë moment. Mirë Troisi se iku dhe i shtohen kreditet duke u përfolur ende në media, por habitem me Longon si paska kohë dhe nge të merret me kësisoj muhabetesh. E mirëkuptoj zotin Idrizi për emergjencën në të cilën ka qenë skuadra duke bërë zgjedhje të tilla, por këtyre zotërinjve u polli mushka se ishin duke pirë kafe te lokali i lagjes… Të kenë të paktën minimumin e respektit për presidentin, që nuk ka kursyer asgjë apo dhe për komoditetin që u jep në punë. Ndoshta nga kjo kanë përfituar.

Njëri të shohë punën e tij, tjetri të ulë kokën e të përmbushë objektivat që ka marrë përsipër dhe jo të bëjnë llogje me paratë e pakursyera të Sinanit. Vlora nuk ka kohë të presë sa të justifikoni ju paaftësitë tuaja o trajnerë, se na hapët barkun! Tallen me lekët e Sinanit që i mban me bukë. Ne e dimë se sa vlejnë. Të mos i merrte Idrizi te Flamurtari, aty te klubi i lagjes do të ishin se aq të paaftë janë”, shton Haxhiu.

OBJEKTIVI DHE GABIMET – Saimir Haxhiu mendon se skuadra do të arrijë objektivin në javët e mbetura. Sheh jo vetëm tri fitore radhazi të Flamurtarit dhe hapa fals të rivalëve. Evidenton se ekuilibrat u prishën në ndeshjen e famshme me Dinamon, ndërsa në transferta duhet që të tregoheshin më cinikë. “Unë vazhdoj të besoj se Flamurtari do ta arrijë objektivin në këto tri javë të mbetura. Edhe kundërshtarët kanë ndeshje të vështira nëpër transferta dhe uroj të mos ndikojë asnjë faktor i jashtëm.

Mendoj se te Flamurtari është investuar më shumë se çdo skuadër tjetër dhe vëmendja nga ana e presidentit ka qenë më shumë se çdo herë. Ekuilibrat u prishën në ndeshjen me Dinamon, por duhet të ishin më cinikë në transfertat jashtë, sidomos tek e fundit me Burrelin. Personalisht besoj se do të ngjitemi në Superiore, sepse besoj te tri fitoret e fundit dhe te hapi fals i rivalëve”, përfundon Haxhiu.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"