Debati Meta-Osmani para kartonit të kuq: “Hë mo qelbanik… po pret autobusin?”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2016 | 22:23

Debati Meta-Osmani para kartonit të kuq: “Hë mo qelbanik… po pret autobusin?”

Gazeta “Panorama Sport” ka botuar në rubrikën ‘Blobi i Javës’ në numrin e datës 19 mars, disa nga batutat dhe deklaratat më pikante të javës së shkuar të bërë nga protagosnistët e futbollit. Ato janë përzgjedhur duke u shoqëruar edhe me funksionin e atyre që i kanë thënë.

Untitled-14Meta dhe Osmani – Pas përfundimit të ndeshjes Partizani- Skënderbeu 1-1, teksa lojtarët e të dyja skuadrave po dilnin nga stadiumi, gjyqtari Kridens Meta, pasi pikasi në tunel Tefik Osmanin, iu drejtua kështu këtij të fundit: “Hë mo qelbanik, çfarë po bën, po pret autobusin?”. Mbrojtësi korçar ia aprovon: “Po çfarë të bëj?”.

Ndërsa Meta i kthehet me një batutë: “Po ti tani që u bë 400 lekë të vjetra bileta, gjete të shkosh me autobus?”.

Gjithçka mbyllet me të qeshura, në një kohë që Osmani në atë sfidë doli me të kuq, ndërsa Meta i kolegjiumit të Tiranës bëri detyrën e arbitrit të linjës.

Klubi i Partizanit: “Nuk i shkon këtij Partizani të madh të caktojë vetë arbitrat. Këtë e bën vetëm presidenca e korçarëve”.

Klubi i Skënderbeut: “Partizani do ishte e udhës të jepte një shpjegim për mënyrën se si u zhdukën topat nga fusha pas golit të Raçiç. Ose më e drejtë do ishte të justifikohej loja e shëmtuar, ku në çdo një minutë gjeje një lojtar të shtrirë në fushë”.

Ardjan Takaj, president i Skënderbeut: “Nëse do të jepej për ne ajo penallti që iu akordua Partizanit, do të ishte bërë nami. Ky është një skenar i Partizanit, pasi ka javë që ankohet për arbitrat. Ndoshta është një mënyrë e tyre për të ushtruar presion ndaj arbitrave në këto javë të fundit të kampionatit. Pas këtij barazimi, titullin e humbim vetëm nëse duam ne”.

Dritan Dervishi, drejtor i Partizanit: “Më bëjnë çudi deklaratat e fundit të presidentit të Skënderbeut, që flet për skenarë nga ana jonë. Të gjithë e dinë se ai është mjeshtër i skenarëve, prandaj me këtë rast i kërkojmë që të na ndihmojë edhe ne duke na shpjeguar se si bëhen”.

Refik Halili, president i Tiranës: “Pas humbjes në derbin me Partizanin jemi mërzitur shumë familjarisht, madje fëmijët kanë qarë. Kur pashë këtë situatë, u thashë familjarëve se nuk mund t’i bëjmë keq shëndetit tonë”.

Klubi i Flamurtarit: “Në një kampionat si i yni, ku nga shumica e skuadrave priten me shumë gëzim ndeshjet që luhen në mesjavë, Komisioni i Etikës dënon një lojtar dhe njollos imazhin e klubit për trukim të rezultatit për një ndeshje që Prokuroria ka mbyllur hetimin, duke mos e cilësuar si të trukuar”.

Sokol Kushta, ish-trajner: “Derisa të vazhdojnë të qëndrojnë te Flamurtari njerëz të vjetër, që nuk kanë dhënë asgjë pozitive për ekipin dhe përcjellin ende frymë negative, kështu do të jetë situata. Flamurtari ka bërë superblerje dhe nuk fitoi dot në Vlorë as me Bylisin dhe as me Tërbunin”.

Lojtarët e Elbasanit – “Të bësh stërvitje me tigrat nuk të ndodh çdo ditë, por nëse duam të marrim pikë, duhet të jemi si tigra në fushë”. (pranë kompleksit “Shefqet Lamçja”, ku stërvitet Elbasani, prej disa ditësh ka ngritur çadrën një cirk italian, teksa bie më shumë në sy prezenca e 4 tigrave, njëri prej tyre i bardhë).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"