Debati i ndezur/ Hafizi: Përgjegjësia e juaj, nuk keni analizuar asgjë; Brdariç nuk mban nervat: Ndërrojmë vendet, eja bëhu ti trajner i Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2021 | 20:44

Debati i ndezur/ Hafizi: Përgjegjësia e juaj, nuk keni analizuar asgjë; Brdariç nuk mban nervat: Ndërrojmë vendet, eja bëhu ti trajner i Vllaznisë

Astrit Hafizi dhe Tomas Brdariç janë bërë pjesë e një debati të ndezur pas ndeshjes së sotme Vllaznia-Tirana. Ish-trajneri shkodran dhe tekniku aktual i kuqebluve, janë përplasur rreth ecurisë së kuqebluve në intervistën pas ndeshjes për “SuperSport”, duke mos kursyer edhe kritikat e ironinë ndaj njëri-tjetrit.

hafizi brdaric

Debati i plotë dhe shkëmbimi i batutave në studio është si më poshtë:

Hafizi: Në sezonin e kaluar kam bërë komplimente për atë që keni dhënë për Vllazninë. Por sot nuk mund ta them një gjë të tillë, keni një përgjegjësi për këto 7 javë mendoj unë. Meqë thoni t’i analizojmë ndeshjet një nga një, atëherë po filloj me Superkupën me Teutën që në startin e sezonit. Pësoni gol dhe shkatërroheni komplet që pas golit të parë. Pësoni gol me Kukësin dhe shkatërroheni përsëri me Kukësin. Me 10 lojtarë…

Brdariç: A doni të flasim për sot apo për të gjithë sezonin? Se atëherë duhet të takohemi e të flasim 2 orë për të dhe të shpjegoj si punohet këtu në Shkodër. OK? Ej çuna… Unë nuk e kuptoj këtë analizë tani. Të flasim për ndeshjen sot, por jo për 3 muajt e fundit. Duhet të flasim për të gjithë vendimet e gjyqtarëve, nga vijnë lojtarët, çdo gjë. Nuk ju kuptoj, më vjen keq.

Hafizi: Mos u nxehni se mbani përgjegjësi mister. Mos u nxehni si nxeheni në stol. Një nga gabimet që skuadra është nervozuar është e juaja.

Brdariç: Jam komplet i qetë po nuk e kuptoj analizën tuaj

Hafizi: Po e shikoj se një vërejtje të bëra. Komplimentet i more mirë. Po e them edhe një herë, gabime të tilla janë të tuajat sepse skuadra nuk po reagon. Nuk keni nxjerrë mësime, kaq. Mos thoni analizojmë, nuk keni analizuar fare. Kjo është përgjegjësi e juaja.

Brdariç: Mund të ndryshojmë pozicionet, ti bëhu trajneri i Vllaznisë dhe unë specialist i “SuperSport”. Në rregull?

Hafizi: Edhe unë kam qenë trajneri i Vllaznisë, me radhë, me radhë do vish ti. Kjo është e keqja nga trajnerët që vijnë nga një kulturë e huaj, duhet të mbajnë përgjegjësi. Derisa unë e dëgjoj këto 7 javë që nuk merr përgjegjësi, ky është gabim i tij.

Brdariç: Po padyshim, unë punoj këtu te Vllaznia, të gjithë bëjmë gabime, edhe ju. Por është e rëndësishme që të mbështetësh skuadrën dhe jo pas çdo humbje të thuash çdo gjë është gabim. Sigurisht pësojmë shumë gola e duhet të punojmë por në sulm duhet të shënojmë më shumë e gjuajmë, por do të shihni në të ardhmen që do të jetë gjithçka më mirë.

Hafizi: Unë një herë fola me ju këto 7 javë, imagjinoni të kishim folur javë pas jave me ju, kushedi çfarë reagimi do të kishit bërë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"