Debate te Lushnja, Dedja mban peng emërimin e trajnerit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2018 | 11:28

Debate te Lushnja, Dedja mban peng emërimin e trajnerit të ri

Mesditën e djeshme është zhvilluar mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Lushnjës.

Nuk është parë e arsyeshme mbledhja e asamblesë së “KF Lushnja 1930” sh.a., por në fund të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, anëtarët i kanë kërkuar shpjegime nënkryetarit Gentian Nushi për faktin që Lushnja ka një javë pa trajnerin kryesor.

Lushnja

“Patjetër, patjetër! Unë ua kthej përgjigjen, nuk ka problem fare. Trajneri ekzistues, Hysen Dedja, ka kërkuar dorëheqjen, e cila duhet të paraqitet me shkrim nga ky trajner. Në momentin që do të paraqitet me shkrim, patjetër që ne do të fillojmë tratativat për të gjetur trajnerin e ri.

I kemi bërë… (këshilltarët ndërpresin fjalën duke folur njëzëri se futbolli lushnjar ka nevojë për një pastrim rrënjësor. Ka tone të ashpra dhe kryetarja e këshillit, Elida Gjermeni, kërkon që të ketë qetësi në sallë). Të nderuar këshilltarë unë nuk merrem me thashetheme.

“Do të merren masa për çdo gjë. Unë jam kryetari i bordit që më keni caktuar ju këtu. Kjo që po ju them është me përgjegjësi. Pres dorëheqjen e shkruar sepse me fjalë mund të thonë shumë gjëra. Me dorëheqjen e shkruar ndërpritet kontrata e punës. Pastaj fillojmë tratativat për trajnerin e ri dhe unë përsëri do t’iu përgjigjem”, është shprehur nënkryetari i Bashkisë, Gentian Nushi, që është njëherësh kryetar i bordit të “KF Lushnja 1930” sh.a.

Fatos Tushe

Në mbledhje ka munguar kryetari i bashkisë, Fatos Tushe, që është presidenti i klubit verdhejeshil.

Gazeta “Panorama Sport” i ka kërkuar nënkryetarit të bashkisë, Gentian Nushi, një shpjegim më të detajuar në lidhje me vendosjen e trajnerit të ri, por ai është shprehur se nuk ka se çfarë të shtojë, duke e mbyllur: “Për momentin klubi lushnjar nuk po shikon asnjë alternativë tjetër dhe nuk ka përcjellë asnjë informacion zyrtar për emrin e ri të stolit verdhejeshil”.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"