Debate me administratorin, Kashami iku pas sherrit. Zbardhen pikat që ndanë teknikun me klubin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 16:46

Debate me administratorin, Kashami iku pas sherrit. Zbardhen pikat që ndanë teknikun me klubin

Trajneri i Apolonisë, Ndriçim Kashami, dha dorëheqjen nga drejtimi i mëtejshëm i skuadrës dy ditë më parë. Një lajm disi i papritur dhe në kufijtë e pabesueshmërisë, nëse do të kemi parasysh ecurinë dhe arritjet pozitive të Apolonisë gjatë këtij edicioni, kur vetëm 4 javë kanë mbetur gjer në përfundim të kampionatit e ca më tepër, kur Kashami jo më larg se para një jave fliste me optimizëm për projektet e Apolonisë së sezonit të ardhshëm. Por ç’ndodhi? Gazeta ka arritur të zbulojë prapaskenat se çfarë nuk ka shkuar mes teknikut dhe drejtuesve të klubit.

apolonia

PËRPLASJA – Dorëheqjen e tij, 48-vjeçari e ka paraqitur që ditën e hënë tek administratori i klubit, Olsi Bregu dhe të martën klubi fierak ka dalë në një njoftim pak radhësh në faqen zyrtare, duke bërë me dije për publikun pranimin e dorëheqjes së trajnerit Kashami. Po çfarë duhet lexuar pas kësaj? Realisht, fierakët janë një klub pak apo aspak transparent me publikun dhe kjo të bën të dyshosh në vërtetësinë e deklarimeve: ana mediatike dhe thelbi i vërtetësisë shpesh kanë çakordancë plotë.

Nga burime konfidenciale dhe të sigurta brenda klubit, gazeta ka informacionin e plotë se të hënën ka pasur debate të ndjeshme mes administratorit Bregu dhe trajnerit Kashami në analizën e pasndeshjes me Tomorin. Administratori i klubit, ndonëse s’ka qenë i pranishëm në ndeshjen kundër Tomorit, i ka kërkuar Kashamit llogari për lojën e skuadrës dhe ka shprehur rezerva për nivelin e trajnimit. Madje, po sipas të njëjtave burime të sigurta, ndaj pankinës fierake ka pasur dhe trysni përse nuk po aktivizon në masë lojtarë të rinj, pjesë e akademisë fierake. I ndodhur ballë një qëndrimi të tillë, teksa i kërkohen edhe rezultate, edhe aktivizime të lojtarëve të rinj, duket se Kashami ka arritur limitin e durimit dhe është dorëhequr.

Situatë aspak komode në një moment të papërshtatshëm për klubin fierak që vuan “sindromën” e vjetër, duke përdorur si apologji zhargonin “lojtarë të akademisë”. Pa dyshim që ky klub prodhon talente, por edhe talentet kanë kohën e vet dhe më mirë se kushdo këtë e di stafi teknik. Sota, Mihana, Gjata etj., janë tregues pozitivë të rendimentit real sportiv, gjë që e kanë dëshmuar në fushë, mbi çdo “komercialitet” tjetër të dëmshëm për futbollistët e të dobishëm për krerët. Kashami deklaron se u dorëhoq me vullnet të lirë, administratori i klubit po ashtu.

Kjo është pjesa e dukshme… dhe Apolonia duket se sezonin e ardhshëm do të fillojë nga “avazi” i vjetër: ndërtimin e një skuadre të re nga e para. Kashami është emëruar trajner i Apolonisë në fillim të këtij sezoni, pas dorëheqjes së ish-trajnerit Elidon Demiraj. Ndërkaq, Mariglen Kule që ishte zëvendësi i Kashamit do të drejtojë skuadrën deri në fund të këtij kampionati.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"