De Rosi e Barzalji frikësojnë Italinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2014 | 16:04

De Rosi e Barzalji frikësojnë Italinë

Italy v Brazil - International FriendlyPasi arkivoi fitoren kundër Anglisë, në ndeshjen e parë të Botërorit, Kombëtarja italiane, nën urdhrat e teknikut Çezare Prandeli, ka filluar përgatitjen për ndeshjen e radhës kundër Kosta Rikës, e cila vlen kualifikimin për në fazën çerekfinale. Por, nga grumbullimi i Mangaribës, ku ndodhen italianët, nuk vijnë lajme të mira për sa i përket gjendjes së lojtarëve. Gjatë stërvitjes së djeshme, veç portierit Xhanluixhi Bufon dhe mbrojtësit të Milanit, Matia De Shiljo, në stërvitje kanë munguar dhe dy titullarë të tjerë: Daniele De Rosi dhe Andrea Barzalji. Sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, mesfushori i Romës është dëmtuar në kavilje dhe menjëherë u është nënshtruar kontrolleve të para. Ndërsa ende nuk dihet me saktësi problemi i mbrojtësit të Juventusit, i cili nuk është në formën e tij më të mirë. Është e qartë që tekniku i italianëve, Çezare Prandeli shpreson që t’i ketë në dispozicion lojtarët për ndeshjen e ardhshme, por gjithsesi situata e tyre do të monitorohet në ditët e ardhshme. Një problem jo i vogël për Prandelin duke parë rendimentin jo të kënaqshëm që treguan në sfidën kundër Anglisë Gabriel Paleta dhe Xhorxho Kielini. Sakaq trajneri i italianëve nuk mund të mbështetet as te Ranokia, kjo për shkak se lojtari i Interit ka lënë grumbullimin e të kaltërve dhe është rikthyer në Itali. Mbrojtja është edhe reparti më me shumë probleme duke konsideruar dhe dëmtimin e De Shiljos, i cili ende nuk dihet se kur mund të rikthehet në dispozicion të ekipit. Në ditën e djeshme edhe portieri Salvatore Sirigu ka ndier një problem të vogël muskulor, por për fat të mirë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Gardiani i PSG-së do të jetë në fushë të premten që nga minuta e parë, ndërsa në mbrojtje, në rast se Barzalji nuk do të arrijë t’ia dalë, pritet nga minuta e parë rikthimi i mbrojtësit të Juventusit, Leonardo Bonuçi, i cili nuk u aktivizua nga Prandeli në takimin e parë, pasi ky i fundit preferoi mbrojtësin e Parmës, Gabriel Paleta.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"