De Ligt bën “mea culpa”: Te goli i Uzunit ishte gabim imi, në Champions duhet të jemi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 23:45

De Ligt bën “mea culpa”: Te goli i Uzunit ishte gabim imi, në Champions duhet të jemi…

Pas vërshëllimës finale të Juventus-Ferencvarosh, ku pavarësisht sesi nisi ndeshja, në fund bardhezinjtë arritën që të përmbysin golin e Myrto Uzunit dhe të kualifikohen dy ndeshje përpara fundit të fazës së grupeve, për në 1/8-at e finaleve të Champions-it, Matajs De Ligt kërkon që të bëjë “mea culpa”. Ndonëse dhuroi një tjetër mbrëmje fantastike në qendër të mbrojtjes, holandezi 20-vjeçar, i cili mori edhe komplimentet e trajnerit Andrea Pirlo kërkoi që të pranojë se në aksionin e golit të parë të hungarezëve kishte qenë ai fajtori.

uzunii myrto

“Nuk e prisnim kurrsesi që Ferencvaroshi do të lëshohej menjëherë me atë vrull në fushën e lojës, ndaj duke arsyetuar gabim ndeshjen, ia komplikuam më shumë se ç’duhej gjërat vetes. Për më tepër, ata mbroheshin shumë mirë, kishin dy linja shumë të ngushta mes reparteve dhe na e bënë të vështirë që të gjenim hapësira mes tyre, për të qarkulluar topin.

Si përfundim, pavarësisht fitores, nuk mendoj se bëmë një paraqitje të mirë, pasi na munguan mjaft gjëra. Pikësëpari shpejtësia në lëvizjen e topit dhe mbi të gjitha na duhej më shumë kurajo. E them këtë sepse në Europë, në Champions, kohë për të rikuperuar nuk ke.

Prandaj, nëse nuk jep maksimumin që në fillim…, – nënvizon De Ligt, i cili merr edhe përgjegjësinë e golit të Uzunit. – Në rastin e golit të Ferenvaroshit ishte një gabim totalisht imi. Dola shumë përpara dhe lashë të zbuluar të gjithë mbrojtjen. Por e vërteta është që kemi gjithsesi një skuadër të madhe dhe me shumë cilësi brenda saj. Ndonëse e ritheksoj, në Champions duhet të qëndrojmë më të lidhur mes reparteve, më kompakt sepse kështu nuk rrezikojmë që të pësojmë”, tha De Ligt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"