De Biazi: Berishën e do Fiorentina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2013 | 13:30

De Biazi: Berishën e do Fiorentina

BerishaTrajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, e ka lavdëruar shumë portierin kosovar Etrit Berisha, por ka shtuar se futbollisti i Kalmarit nuk kërkohet nga Lacio, por nga një klub tjetër italian. “Bëhet fjalë për një portier me të ardhme të madhe. Është i gjatë 1.95, është mjaft i mirë në portë dhe ka besim të madh. Ndër të tjera, ka një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe mund të bënte mirë në një ambient të nxehtë si ai i Romës. Në Kalmar ai i gjuan penalltitë, kjo sepse ka saktësi kur luan me topin”, – deklaroi trajneri italian për Radio Sei. “Nga viti 2012 është titullar në Kombëtare, luan gjithmonë para Ujkanit. Tare më dërgon mesazhe pas ndeshjeve dhe e di se ka ardhur për ta parë, por nuk e di nëse dëshiron ta sjellë në Lacio, mund të ndodhë gjithçka. Por, e di që një tjetër skuadër italiane është duke e ndjekur dhe ajo nuk është Lacio. Mund të jetë Fiorentina”, – vazhdoi De Biazi. Aktualisht vjollcët janë në kërkim të një portieri të parë pas largimit të Vivianos, çka plotëson edhe kushtin kryesor të gardianit kuqezi, i cili nuk dëshiron të shkojë në një ekip që nuk i garantohet formacioni. Berisha ka kontratë me klubin suedez të Kalmarit deri në fund të vitit dhe kartoni i tij nuk do të ishte i kushtueshëm për momentin, duke qenë se rrezikon të largohet me parametër zero pak muaj më pas. Në fakt, ai ka qenë afër dy klubeve të tjera italiane në të shkuarën, pikërisht Romës dhe Kievos, por që tratativat kanë dështuar në momentet e fundit.

ShaqiriShaqiri dhe Xhaka: Në Shqipëri na pret ferri
Dy nga futbollistët me origjinë kosovare të Kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, dhe Granit Xhaka kanë komentuar rreth ndeshjes që do zhvillojnë në Tiranë, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës. Dy mesfushorët presin një atmosferë të zjarrtë dhe një pritje jo të këndshme nga tifozeria vendëse, për shkak të zgjedhjes së tyre. “Ne na pret një situatë jo e mirë në Tiranë. Kemi fituar ndeshjen e parë dhe në sfidën e kthimit Shqipëria do tentojë vetëm suksesin, qoftë dhe me një forcë të brendshme që vjen nga inati i shumë sportdashësve në Shqipëri për zgjedhjen që kemi bërë ne shqiptarët zviceranë. Futbolli ynë është profesionist dhe ne kemi kërkuar që të respektohemi për këtë gjë, por e dimë se atje na pret ferri. E gjithë skuadra zvicerane do të jetë e urryer, në veçanti ne lojtarët me origjinë shqiptare. Unë kam shumë miq në Kosovë, por atje na kritikojnë vazhdimisht për zgjedhjen që kemi bërë. Ndoshta Behrami ka më shumë probleme për shkaqet që dihen. Edhe pse ndihemi me zemër kuqezinj, e dimë se në Tiranë do të jemi nën një presion serioz”, – tha Granit Xhaka për të përditshmen “Blick”. “Dëshirojmë që të kualifikohet Zvicra për në Botëror, pasi është një objektiv madhor yni. Megjithatë, me zemër duam që të kualifikohet edhe Shqipëria, e cila ka shanse reale për vendin e dytë dhe për ‘play-off’-in”, – thotë Xherdan Shaqiri. Në fakt, zviceranët mund të vijnë në Tiranë pa shumë motivim, nëse arrijnë të sigurojnë vendin e parë matematikisht, duke qenë se dueli me kuqezinjtë e De Biazit është edhe i fundit për eliminatoret.

U-17Kombëtarja U-17, turne miqësor në Hungari
Ekipi kombëtar U-17, i drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç, do të marrë pjesë në Turneun e 33 Miqësor, Ndërkombëtar të Hungarisë. Ky turne do të organizohet me pjesëmarrjen e gjashtë skuadrave kombëtare nën 17 vjeç, Hungarisë, Republikës Çeke, Shqipërisë, Izraelit, Serbisë dhe Kroacisë. Në kuadrin e përgatitjeve për Kualifikueset e Europianit U-17, i cili do të organizohet në Shqipëri (Korçë dhe Pogradec) në muajin tetor të këtij viti, Turneu i Hungarisë do të jetë mjaft i rëndësishëm. Sipas Redi Jupit, drejtor i Drejtorisë së Ekipeve Kombëtare: “Ky turne moshash është më i rëndësishmi që kemi marrë pjesë deri më tani, sa i takon cilësisë së skuadrave”. Turneu i 33 miqësor Ndërkombëtar i Hungarisë do të zhvillohet nga data 30 korrik deri më 5 gusht. Shqipëria do të luajë me Republikën Çeke më datë 31 korrik. Të nesërmen, më 1 gusht, do të luajë kundër Kroacisë. Më pas, do të zhvillohen ndeshjet për vendet 3-4 dhe 1-2. Një turne, i cili do i ndihmojë jo pak talentet e drejtuara nga Xhemal Mustedanagiç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"