De Biazi: Shqipëria, 10% mundësi të shkojë në Kampionatin Botëror

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2016 | 13:40


De Biazi: Shqipëria, 10% mundësi të shkojë në Kampionatin Botëror

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta Dello Sport”, ka treguar se beson realisht që Shqipëria ka shanse për të shkuar në Botëror. Ai i sheh kuqezinjtë si skuadrën e tretë në grup, ndërsa ndan edhe përqindjet e mundësive që ky kualifikim të ndodhë.

De Biazi

“Mua më pëlqejnë sfidat e pamundura. Dy vite më parë, vetëm një i çmendur do ta kishte parashikuar Shqipërinë në Europian. Dhe kur bëra të debutonte Hysajn, presidenti i Federatës më pyeti se mos isha çmendur….

Spanja ka 50% mundësi kualifikimi, Italia 40% dhe ne 10%. Ndoshta është shumë, por unë kam besim. Kurrë mos thuaj kurrë. Rikthehemi me të njëjtin grup, pa Canën, kapitenin, i cili është larguar nga Kombëtarja. Rifillojmë me të njëjtin modul, atë 4-3-3 dhe tre emra të rinj, një për çdo repart, të cilët do të jenë të rëndësishëm në perspektivë: Gjimshiti, Hyka dhe Manaj”, tha De Biazi për të përditshmen italiane.

“Mund të them se unë mundohem të bëj të thjeshta gjërat e komplikuara. Europiani? Na mbeten kujtim komplimentet e kryeministrit pas fazës në grupe. Ndërsa në përgjithësi, ndërgjegjësimi se kemi bërë hapin cilësor para. Për mënyrën se si kishim luajtur që në fillim, e meritonim kalimin e turit. Europiani më la të kuptoja që asgjë nuk vjen rastësisht, që edhe skuadrat e vogla, si Islanda, mund të të krijojnë probleme. Sekreti është forca e vullnetit, duhet të besosh. Kjo është pika nga e cila duhet të fillojmë”, shpjegon trajneri i kuqezinjve.

kombetarja-1

Ai bën të qartë se as filozofia e lojës së Shqipërisë nuk do të ndryshojë pas Europianit. “Nëse ke teknikë superiore ndaj kundërshtarit, mund të mbash topin, përndryshe është e kotë që të bësh si shumë guximtar, apo të sulmosh shumë lart rivalin që ke përballë. Rrezikon shumë. Më mirë të krijosh dendësi para mbrojtjes dhe të kesh pika të lehta pasimi nëse rifiton topin. Tifozët tanë janë entuziastë, na shtyjnë që të sulmojmë. Në të kundërt, duhet të rigjesh ekuilibrin, të mendosh”.

I pyetur rreth një prej prurjeve të reja, Rei Manajt, De Biazi vlerëson sulmuesin e ri, por tregon se ndoshta ai nuk është ende gati për të shpërthyer në kombëtare. “A është si Boninsenja? E konfirmoj, është një luftëtar, lufton, vrapon, duhet vetëm të jetë pak më i rregullt. Mund të jetë një pengesë dëshira e tepruar për të shpërthyer. Por ka në avantazh të tij moshën e re”, tha trajneri.

Në fund, një koment edhe për Italinë, ku ai ishte kandidat për të marrë drejtimin, por pa se si stoli i shkoi Venturës. “Tani ka më shumë mbajtje topi në gjysmëfushën e saj, në pritje për të kuptuar çfarë bëjnë kundërshtarët apo për t’u rinisur me shpejtësi. Një version i sofistikuar dhe i organizuar i skemës që nuk perëndon kurrë: top i gjatë para dhe vrapim. Por kjo nuk është një kritikë ndaj mikut tim Xhiampiero.

DeBiasi-1

Mbrojtja? Ajo që ndodhi ndaj Francës janë të zakonshmet që ndodhin në fund të verës, unë nuk do të isha shqetësuar. Italia mundet vetëm të përmirësohet, pasi është e ndërtuar mbi themele të shëndosha, Berardi? Për një si ai, duhet gjithmonë të gjesh një vend”, tha trajneri i cili pranoi se nuk i kishte mbetur peng që nuk ishte pikërisht ai emri i përzgjedhur nga Federata Italiane.

“Ndonjë peng? Jam realist, duhej të shkonte kështu. Por ishte një nder të gjendesha mes kandidatëve”.

Përkthyer dhe përshtatur nga Panorama Sport Online