De Biazi: Jemi një grup tmerri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2014 | 9:35

De Biazi: Jemi një grup tmerri

BiaziPasi siguroi përmes “play-off”-it finalet e Kupës së Botës, ku zhgënjeu, Portugalia humbi edhe ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Europian 2016. Ia shkaktoi Shqipëria e vogël, e drejtuar nga një italian, De Biazi. “E pra, tani janë të gjithë të bindur se do ta kalojmë grupin. Kjo më shqetëson. Fitore të tilla stimulojnë karakterin e shqiptarëve, që është edhe më shumë kërkues se i italianëve. Por ne jemi në një grup tmerri. Në tetor ne presim Danimarkën dhe pastaj shkojmë brenda katër ditësh në Serbi. Dhe mos harroni se jemi vetëm 15 vjet pas luftës në Kosovë,” – thotë De Biazi.
Trajneri italian vijon më tej të flasë edhe për atë që është duke bërë në futbollin shqiptar. “Kombëtarja e futbollit është një faktor gëzimi për këtë vend të vogël. Megjithatë, mjedisi e infekton ekipin. Pas çdo fitoreje bëhen sikur kemi vrarë “viçin e majmur”. Unë e kuptoj se populli do të jetojë duke dominuar gjatë shija e fitores. Pastaj mos harroni se një i ri nga Tirana është shpërthyes, i përgatitur dhe me një kompetencë të çmendur në gjuhët e huaja, – shprehet De Biazi, i cili shton: – Shumë nga futbollistët e mi kanë lindur jashtë vendit. Ata vijnë nga realitete të ndryshme, duan të rindërtojnë jetën e tyre. Prindërit u kanë lëvizur nëpër vende të ndryshme, dhe jo për të bërë arkitektin apo naftëtarin. Ata shkuan në vende europiane për të fituar jetesën e tyre me punë prej shërbëtori. Për ata, futbolli është shpengim. Por ka nga ata që zgjedhin të luajnë edhe në kombëtare të tjera. Më ka ndodhur të flas me babanë e ndonjërit prej tyre dhe i kam thënë: Shqipëria është ajo që u ofroj. Llogaria ime është fanella e vendit tuaj, unë ua ofroj këtë. Sot, ai që ka lindur në Shqipëri ka një shans më të mirë, mund të studiojë dhe të gjejë një punë këtu.”
Dhe vërtet kështu është. Madje ka shumë italianë që i kanë zhvendosur bizneset e tyre të “call-centre” në  Tiranë. Gazetari i njohur Alesio Vinci, po ashtu, është bërë pjesë e një transmetuesi televiziv në Shqipëri. Gjë për të cilën De Biazi ka shpjegimin e tij: “Unë shoh shumë italianë që vijnë këtu, madje edhe nga vendlindja ime, e famshmja verilindje e Italisë, e cila ishte Eldorado e punës dikur.”
Sidoqoftë, paga e tij nuk kap as një të dhjetën e asaj që merr Antonio Konte. Dhe De Biazi nuk shqetësohet aspak për këtë gjë: “Një e dhjeta? Ah, nnë nuk fitoj aq shumë, por jam i lumtur. Sa për Konten, unë mendoj se nuk ka shkuar me armë për t’i kërkuar ato para. Federata Italiane e Futbollit ka pasur nevojë për një trajnr të tillë, për të rreguluar së pari imazhin e vet. Sigurisht, 4 milionë s’mund t’i ëndërrojë një trajner në Shqipëri, kur dihet se buxheti total i federatës këtu është te 7 milionë euro.”
Po si është përshtatur një italian si ai në vendin e përtej Adriatikut? Që prej dhjetorit 2011 i ka thënë “po” drejtimit të kombëtares së Shqipërisë, detyrë për të cilën ka rinovuar edhe kontratën. “Kur më erdhi oferta, njohuritë e mia për Shqipërinë ishin zero. Kam filluar të studioj historinë e vendit, heronjtë e tyre, krerët e regjimit komunist për gati 50 vite. Rashë dakord të drejtoja Shqipërinë sepse kam kërkuar për të pasur një eksperiencë larg nga futbolli italian, i cili tretet pak e nga pak,” – shpjegon De Biazi.
Dhe gazetari italian e ngacmon më tej bashkatdhetarin e vet, duke e pyetur: Mos keni humbur gjë? “Jo në të gjitha, sepse kam shumë Itali me vete. 60% e shqiptarëve bëjnë tifo për një ekip italian, e flasin italishten shumë mirë. Pastaj unë preferoj që të ndjehem mirë me shëndet. Në Shqipëri një pensionist italian do të jetonte shumë mirë. Peshku dhe vera në drekë konsumohen për 20 euro, një taksi në qendër të qytetit të merr vetëm 3 euro. Por unë lëviz pak në Shqipëri. Vetëm 4 lojtarë të ekipit kombëtar luajnë këtu, kampionati po fillon të rritet tani me uljen e numrit të skuadrave në 10 të tilla. Këtu vijnë të luajnë serbët, kroatët dhe brazilianët. Unë kam një dekoder shqiptar, ku shoh ndeshjet e futbollit, e përcjell rregullisht shtypin shqiptar. Herën e fundit në stadium isha për ndeshjen Tirana-Flamurtari. Çështja është se unë duhet të lëviz shumë në Europë për të parë të gjithë të tjerët. Familja ime qëndroi në Conegliano, ndërsa vetë jetoj në një hotel të Tiranës. Mbërrij atje me një fluturim që nuk zgjat më shumë se një orë e dhjetë minuta,” – përgjigjet De Biazi.
Italia apo Shqipëria, cila ka të ardhme më të mirë në futboll? “Unë jam bir i një tregtari. Im atë më regjistroi në një shkollë private me konvikt, duke dashur të studioja në mënyrën më të mirë të mundshme. Babai im nuk e dinte që do të bëhesha pjesë e futbollit, por kjo ishte ëndrra ime. Unë nisa të luaj futboll prapa kishës së Sarmede. Në Shqipëri, përveç rrugës, tani shikon edhe ndonjë fushë me bar sintetik. Kështu që ju mund të bëni më shumë. Por për mua predominon në gjithcka dëshira për të vendosur një objektiv në jetë, të kesh pasion për të mbërritur aty ku do. Në Itali ka më pak frymëzim të rinia në këtë drejtim. Për vete kam pasur një parim gjithmonë: njeriu ka vetëm një jetë, prandaj duhet ta jetojë atë në mënyrë sa më aktive dhe të plotë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"