De Biazi kundër Zvicrës: Edhe Champions-i mbaroi, ju luani…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2016 | 10:12

De Biazi kundër Zvicrës: Edhe Champions-i mbaroi, ju luani…

Xhani De Biazi është surprizuar shumë kur ka mësuar se Armando Sadiku nuk ka luajtur në ndeshjen e fundit të Vaduzit kundër Zyrihut. de biaziNë një intervistë të dhënë për mediat helvete, ai thotë se do t’i japë ndonjë “çok” kokës kur t’i bashkohet grupit (sot) dhe do t’i tërheqë veshin. Numri një i Kombëtares shqiptare shprehu gjithashtu edhe pakënaqësinë për faktin se kampionati zviceran është kaq shumë i gjatë, ndërkohë që të gjitha kompeticionet e tjera kanë përfunduar.

Sadiku

Italiani foli mbi situatën e sulmuesit kuqezi.

“Nuk e dija realisht që nuk do të luante në ndeshjen e fundit. Këtë po ma thoni ju dhe unë tani u habita sepse ai duhet të ishte në Kombëtare në rast se ndiente shqetësime. Sigurisht që kur të vijë do t’ia tërheq veshin (qesh). Armando është një djalë i shkëlqyer dhe një profesionist i vërtetë. Ka dëshirë gjithmonë të jetë i rëndësishëm në ekip. Nuk do ta ndëshkoj, por sigurisht që do të flas me të sepse do t’i bëjë mirë në të ardhmen”, sqaroi ai.

Europiani

Xhani De Biazi e quan të largët Europianin, pavarësisht se mungojnë vetëm 15 ditë nga fillimi i tij. “Jemi ende shumë larg. Duhet të bëjmë stërvitje, ndeshje miqësore, punë dhe listë përfundimtare. Sigurisht që kemi ende shumë punë përpara se të fillojë ky kompeticion i rëndësishëm”, tha numri një i kuqezinjve.

Kritikat

Të gjitha kombëtaret kanë filluar punën me lojtarët e tyre, por kampionati zviceran vazhdon të luhet ende. Ky fakt nuk i pëlqen De Biazit, i cili me humor i bën gazetarit këtë kritikë. “Edhe Liga e Kampionëve do të përfundojë ditën e shtunë, ndërsa ju keni një kampionat me vetëm dhjetë skuadra dhe vazhdoni të luani ende. Edhe finalen e Kupës e keni shumë vonë. Nuk e di çfarë bëni”, tha De Biazi duke qeshur. Tekniku i kuqezinjve vlerësoi maksimalisht edhe mbrojtësin Veseli duke thënë se është shumë i fortë dhe do ta ndihmojë Kombëtaren shqiptare në të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"