De Biazi: Ndiej keqardhje për Sadikun, ja zëvendësi i tij…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2014 | 23:01

De Biazi: Ndiej keqardhje për Sadikun, ja zëvendësi i tij…

De-Biazi2Dëmtimi i Armando Sadikut ka qenë një goditje e rëndë jo vetëm për Zyrihun, por edhe për Kombëtaren shqiptare. Sulmuesi këputi ligamentet e gjurit të shtunën e shkuar në ndeshjen e Zyrihut ndaj St.Galenit dhe dje i është nënshtruar një operacioni në Zvicër. Ai do të mungojë të paktën 6 muaj, çka do të thotë që trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, do duhet që të mendojë edhe për zëvendësuesin e tij. I pyetur pikërisht për këtë gjë nga “Panorama Sport”, trajneri italian i kuqezinjve ka theksuar se ndien keqardhje për dëmtimin e sulmuesit, por nuk shqetësohet shumë për repartin e sulmit.
Deklarata – “E mësova që dje (të dielën) për dëmtimin e rëndë që kishte pësuar Sadiku. Më vjen keq për atë, pasi po kalonte momente të mira në një skuadër elitare, por gjithsesi më informojnë që është operuar me sukses dhe tani duhet të presim kohën e rikuperimit. Zëvendësimi? Kombëtarja ka të paktën tre sulmues të deklaruar, të cilët unë i kam grumbulluar në ndeshjet e fundit: Salihi, Kapllani dhe Shkëlzen Gashi. Kështu që në këtë aspekt nuk ka ndonjë risi absolute”, – ka thënë De Biazi.
Sulmi – Kohët e fundit, trajneri i Kombëtares ka qenë thuajse gjithnjë kritik me repartin e sulmit, duke tentuar gjithnjë që të kishte alternativa më të mira. Fakti që Salihi ka kaluar një periudhë me shumë dritëhije; fakti që Kapllani nuk është konsideruar si nga paraardhësit prej De Biazit; fakti që Edgar Çani po kalon një moment të vështirë në karrierën e tij, pasi është jashtë forme dhe nuk luan as në një skuadër të kategorisë së dytë në Itali, si Bari, ka bërë që në plan të parë të dilte Sadiku. Por, me dëmtimin e këtij të fundit, ndoshta De Biazi do të vërë në jetë idenë e hedhur pak kohë më parë në “Panorama Sport”, për një Shqipëri me modul loje me vetëm një sulmues.
Berisha – Sakaq, trajneri i Kombëtares ka cekur edhe Besart Berishën. Ky i fundit vjen nga një sezon shumë i mirë në Australi, ku fitoi edhe titullin kampion me Brisbanen, ndaj edhe De Biazi i ka kërkuar që të kontribuojë për Kombëtaren. Me këtë të fundit Berisha ka luajtur nga 2007-ta deri në 2010-ën, por më pas, edhe për shkak të rendimentit të dobët në atë kohë, nuk u grumbullua më. Gjithsesi, trajneri aktual i ka kërkuar të rikthehet, teksa lojtari nga ana tjetër ka kërkuar ende kohë para se të kthejë një përgjigje. “E kishim lënë që të më kthente një përgjigje javën e shkuar, por më kërkoi edhe pak kohë para se të vendoste përfundimisht. Them se brenda kësaj jave do të kem një përgjigje, nëse do të rikthehet në Kombëtare apo jo”, – ka qartësuar De Biazi. Në vitin e fundit, Berisha e ka refuzuar ftesën kuqezi, me pretekstin e largësisë së madhe mes Shqipërisë dhe Australisë (27 orë fluturim). Ndërkohë, përveç Berishës, De Biazi ka kërkuar edhe sulmuesin kosovar të Shefild Uendesdej (Angli), Atdhe Nuihun, por ky i fundit deri tani nuk ka pranuar që të heqë dorë nga pasaporta austriake (sikundër kërkon ligji austriak) për atë shqiptare.

Kombëtarja, dëmtimet më të rënda në vitet e fundit
Duke marrë parasysh vetëm vitet e fundit, po sjellim në vëmendje dëmtimet më problematike që kanë pësuar kuqezinjtë. Më 27 janar 2012, Debatik Curri pësoi një dëmtim të rëndë në gju, në Turqi me Gençlerbirliginë. Ai qëndroi larg fushave për më shumë se 6 muaj. Më 3 shkurt 2013, gjatë miqësores Zyrih-Belizona, Burim Kukeli pësoi një dëmtim “horror”. Ai theu këmbën dhe përfundoi gati pa ndjenja në spital. Pas operacionit të parë, lojtari ka bërë të njëjtën gjë edhe dy herë të tjera dhe sot nuk është rikuperuar ende. Më 12 maj 2013, dëmtohet rëndë Alban Meha. Lojtari dëmtoi meniskun e gjurit të majtë. Fantazisti u operua dhe arriti të rikthehej në kohë rekord, në fund të shtatorit 2013. Më 5 maj 2014, dëmtohet Ledian Memushaj. Mesfushori këput ligamentet e gjurit të djathtë në ndeshjen e Karpit ndaj Peskarës. Tashmë ai do të qëndronte të paktën 6 muaj larg fushave.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"