De Biazi: Presim edhe Berishën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2014 | 16:00

De Biazi: Presim edhe Berishën

De BiaziXhani De Biazit i ka shijuar nga Shqipëria golat e Shkëlzen Gashit dhe të Besart Berishës. Trajneri i Kombëtares shqiptare ndodhet prej së premtes në Tiranë, duke u interesuar tashmë edhe për kampionatin shqiptar. Dje ai ka qenë në ndeshjen Partizani- Skënderbeu dhe pikërisht në atë kohë, Shkëlzen Gashi shënonte katër gola me Grashsopersin në Zvicër. “Panorama Sport” është rrekur t’i marrë De Biazit një përshtypje të parë, për më tepër që trajneri është ankuar gjithnjë për sulmuesit që ka në dispozicion. “Gashi katër gola? Nuk e kam këtë informacion për momentin, pasi jam duke ndjekur ndeshjen në stadium (Partizani- Skënderbeu), por më vjen realisht shumë mirë. Jam kurioz t’i shikoj të gjithë golat. Ai po kalon një moment të mirë dhe kjo më gëzon natyrisht. Nuk e grumbullova në ndeshjen e fundit ndaj Maltës, pasi doja të provoja lojtarë të tjerë dhe për më tepër e njoh mirë se çfarë cilësish ka, por sigurisht që do të jetë në takimet e ardhshme. Për mua është lojtar që i vlen shumë Kombëtares shqiptare dhe shpresoj që të jetë po kaq deciziv edhe në ndeshjet zyrtare me përfaqësuesen, sikundër është te Grashsopersi. Më vjen mirë, pasi kampionati zviceran është i një kategorie të lartë”, – ka thënë De Biazi. Kujtojmë që jo më larg se dy javë më parë, Gashi pat thumbuar trajnerin, duke pohuar një lloj pakënaqësie për faktin se nuk ishte grumbulluar në takimin me Maltën më 5 mars. Sakaq, De Biazi ka folur edhe për Besart Berishën. “Po kalon një moment shumë të mirë dhe gëzohem që sot (dje) ka shënuar në finalen për titull. Unë kam folur me atë lojtar, pasi dua që ta kem në skuadër. Nuk e fsheh se mezi pres të vijë momenti kur ai të më kthejë një përgjigje. Besarti më kërkoi pak kohë në dispozicion, kjo natyrisht duke parë largësinë mes Shqipërisë dhe Australisë. Sipas asaj që kemi folur, ai duhet të më kthejë një përgjigje pozitive ose negative, po le të urojmë që do të jetë pozitive, pas pesë ditësh, pra më 9-10 maj”, – ka sqaruar trajneri i Kombëtares. Italiani ka kërkuar që para një viti afrimin e Besart Berishës, kjo nisur edhe nga largimi i Erjon Bogdanit dhe zbrazëtia që ky i fundit la në skuadër. Si pasardhësi i “Bogu”-t shihej Edgar Çani, por ky i fundit po tregon një nivel shumë të dobët loje dhe me gjasa nuk do të grumbullohet më në Kombëtare. Sakaq, Bala dhe Sadiku nuk janë lojtarë që mund ta mbajnë ende peshën e sulmit kuqezi dhe i vetëm mbetet Hamdi Salihi. Në këtë këndvështrim, De Biazi po bën të pamundurën për ta marrë në skuadër Besart Berishën, i cili ka luajtur me ekipin tonë në kohën e Oto Bariçit dhe Ari Hanit. Pas largimit për në Australi në 2011-ën, ai nuk ishte as në “orbitën” e kuqezinjve, por loja e mirë dhe golat e shumtë që shënoi te Brisbane bëri që trajneri italian ta kthente kokën sërish nga kosovari, me nënshtetësi dhe pasaportë shqiptare.

“Thumbimet” e Gashit ndaj italianit
Një javë më parë, pas golit të shënuar ndaj Bazelit, në një prononcim për “Panorama Sport” Shkëlzen Gashi “thumboi” trajnerin e Kombëtares, De Biazi, i cili nuk e grumbulloi në ndeshjen me Maltën. “Shënoj se kam besimin e trajnerit. Ai më jep lirinë e duhur në fushë, duke mos më dhënë detyra të përcaktuara dhe kjo tip formule ka funksionuar”, tha Gashi. Ndërkohë, gazeta ka këmbëngulur, duke e pyetur nëse këta gola do t’i japin atij mundësinë që të jetë titullar në Kombëtaren e drejtuar nga De Biazi, por përsëri sulmuesi nuk ka kthyer përgjigje duke thënë: “No comment!”.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"