Danilo Alvesh i jep zemër skuadrës: Nuk na ndalin dot as arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2017 | 19:42

Danilo Alvesh i jep zemër skuadrës: Nuk na ndalin dot as arbitrat

Në Vlorë fajësojnë ar bitrat dhe FSHF. Që nga drejtuesit dhe deri te lojtarët, mendojnë se gjykimi po i dëmton dhe se çdo gjë është tendencioze. Ky fakt zë pjesën më të madhe të diskutimeve mes lojtarëve. Kjo çështje dite te Flamurtari nuk mund të kalonte pa u komentuar as nga sulmuesi Danilo Alvesh.

Danilo

Pavarësisht situatës që në Vlorë thonë se është tendencioze, Alvesh është i bindur se kjo situatë mund të zgjidhet dhe se, sipas tij, nuk ka gjë që nuk kapërcehet. “Sado që është, nuk ka pengesë që nuk mund të kapërcehet”, shkruan Alvesh në “Facebook”.

Ndërkaq, “Panorama Sport” zbulon se lojtarët i janë ankuar trajnerit Shpëtim Duro për çështjen e gjykimit. Sipas lojtarëve, duhet që kjo çështje të mos mbyllet me kaq, por të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Lojtarët thonë se këto vendime po i demoralizojnë. “Nuk po e kuptojmë se çfarë po ndodh? Përse gjyqtarët janë kundër nesh? Duhet të zgjidhet ky problem, pasi nuk mund të shtyhet më kështu.

Gjyqtarët po na demoralizojnë dhe ndonjëherë nuk na bëjnë këmbët që të luajmë”, janë shprehur lojtarët. Pas ndeshjes me Laçin, trajneri Shpëtim Duro deklaroi se e përgatit ekipin se lojtarët janë kundër.

“Nuk  ka nevojë për koment, mjafton të them që 4 gola i kemi marrë me 11-metërsh dhe nuk kemi marrë asnjë penallti në favor. Për dy penalltitë e padhëna as nuk e vë në diskutim që ishin. Ka ndikim në rezultat gjyqtari i ndeshjes, ashtu si në ndeshjet e mëparshme. Megjithëse kemi kundër gjyqtarët, ne duhet ta fitonim ndeshjes. Unë e përgatis skuadrën që arbitrin e kemi kundër”, u shpreh Duro.

TIFOZËT

Ultrasit e Flamurtarit shpërthejnë në rrjetet sociale. Në faqen zyrtare në “Facebook”, “Flota Kuqezi”, thotë se në vazhdim do të përshkallëzojnë protestat për shkak se vendimet e gjyqtarëve janë tendencioze. “FSHF amatore vazhdon të jetë kundër Flamurtarit tonë. Vazhdon të sjellë dhe të detyrojë gjyqtarët që të sulmojnë Flamurtarin tonë.

I bëjmë thirrje Armand Dukës që nga ndeshja e ardhshme e në vazhdim nuk do të mbajmë përgjegjësi se çfarë do t’ju ndodh si gjyqtarëve, po ashtu dhe delegatëve. Nuk dorëzohemi. Do të kemi edhe reagime të ashpra. Ky futboll drejtohet nga disa derra që mbajnë kollare dhe po shuajnë pasionin e çdo tifozi shqiptar”, shkruajnë ultrasit në “Facebook.

PROTESTA

Flamurtari do të protestojë të dielën. Për vendimet e fundit të gjyqtarëve. Klubi i Futbollit Flamurtari ka vendosur të zhvillojë të dielën në orën 17:00 protestën, e cila do të jetë paqësore.

Është parashikuar që klubi të shtyjë me 15 minuta ndeshjen me Kamzën që do të luhet në Vlorë. Kjo protestë do të zhvillohet të dielën, nga ora 17:00 në orën 17:15. Ndërkaq, sipas burimeve të “Panorama Sport”, deri dje në policinë e Vlorës nuk kishte mbërritur asnjë kërkesë e klubit për protestën e së dielës.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"