Danilo Alvesh: Gol me shumë vlera, dua titullin me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 13:34

Danilo Alvesh: Gol me shumë vlera, dua titullin me Flamurtarin

Danilo Alvesh ishte në hije gjatë ndeshjes ndaj Tiranës, por një gabim në prapavijën bardheblu e shfrytëzoi për të marrë mbi vete ehe meritat e “heroit” për tri pikët. Braziliani, i kënaqur pas fitores, për “Panorama Sport” tha se kjo i jep zemër ekipit. “Ishte triumf shumë i rëndësishëm dhe me shumë vlera.

Danilo

Një fitore që na jep zemër dhe forcë për të vazhduar përpara. Më vjen mirë që ekipi ka reaguar në këtë ndeshje. Patjetër që mund të bëjmë edhe më mirë, por gjithsesi, e rëndësishme është që fituam dhe morëm tri pikët. Jam shumë i bindur se do të bëjmë maksimumin tonë edhe në drejtim të përmirësimit të lojës.

E rëndësishme është që fituam dhe kjo duhet vazhduar edhe në ndeshjen e radhës. Kemi një ekip të mirë dhe normalisht që unë kam bindjen se duke marrë ndeshjet me radhë do të arrijmë objektivin që duam. Jam shprehur dhe e them, kam shumë dëshirë të fitoj një titull me Flamurtarin”, është shprehur fillimisht sulmuesi.

Danilo Alvesh ndalet edhe te situata e sulmit. “Unë jam shumë i kënaqur që shënova sot (dje) dhe fitorja ishte pikërisht për shkak të atij goli. Golat patjetër që janë detyra kryesore e një sulmuesi.

Unë premtoj të jap më të mirën time dhe të shënoj sa më shumë. Asnjëherë nuk kënaqem nga vetja dhe jam i gatshëm që të jap gjithçka për këtë fanellë, pasi ndihem i respektuar nga presidenti, trajneri, shokët dhe tifozët”, përfundoi Alvesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"