Daniel Xhafaj e thotë troç: Pa financa s’ka Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2020 | 22:22

Daniel Xhafaj e thotë troç: Pa financa s’ka Superiore

Daniel Xhafaj, ishsulmuesi i njohur vlonjat, mendon se për t’u ngjitur në Superiore Flamurtari duhet të bëjë patjetër blerje. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai pohon se mbështetja e brezit të ri dhe lojtarëve të akademisë është gjë pozitive, por sjell një zgjidhje më afatgjatë. Xhafaj e thotë troç se pa financa të sigurta do të ketë probleme, pasi ai e parashikon shumë të fortë garën në Kategorinë e Parë.

xhafaj

Daniel, si mendoni, a mund të ngjitet ky Flamurtar në Superiore?

Së pari dua të përcjell urimet për trajnerin Dritan Resuli, duke i uruar suksese. Ai ka vite që ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe i njeh lojtarët dhe do të përpiqet të bëjë karrierë të mirë. Mendoj se me grupin aktual të lojtarëve, mesa jam njohur, me të rinj vlonjatë të akademisë, do të hidhen bazat e skuadrës.

Është një mundësi shumë e mirë për këta të rinj që të tregojnë vlerat e tyre, por edhe të bëjnë sa më mirë për ekipin. Mendoj se duhet merkato patjetër për ta ngjitur ekipin në Superiore. Drejtuesit duhet të afrojnë disa lojtarë cilësorë, me eksperiencën e duhur.

Si e vlerësoni Kategorinë e Parë?

Janë shumë emra të njohur të futbollit shqiptar në këtë kategori. Shumë klube kanë qenë pjesë e Superiores për shumë vite dhe duket një kampionat i fortë. Jam i bindur se i tillë do të jetë, ndaj skuadrat duhet të tregohen shumë të kujdesshme, si në ndërtimin e tyre, ashtu edhe në paraqitjen gjatë edicionit.

A mund ta përballojë ky Flamurtar Kategorinë e Parë me lojtarë të rinj?

Nëse planet janë afatgjata, mund të kenë vështirësi në vitin e parë. Me kalimin e kohës do të krijohet një ekip i mirë. Shumë gjë e mirë që do ketë djem të rinj, pasi ata do të jenë e ardhmja, por të mos harrojmë se për t’u ngjitur në elitë duhen edhe lojtarë të tjerë me eksperiencë.

A do të ishte më mirë që Kategoria e Parë të ishte me një grup?

Mendoj se do jetë më mirë kështu siç vendosi për ta vijuar FSHF-ja. Pra, me dy grupe është më e pranueshme, sepse reduktohen edhe shpenzimet.

A mos rrezikon Flamurtari të familjarizohet me Kategorinë e Parë?

Nuk e di si është situata financiare, por them se pa financa të sigurta dhe të shëndosha, do të ketë shumë probleme për kthimin në elitën e futbollit shqiptar.

E kishit menduar se një ditë Flamurtari do të binte nga kategoria?

Çfarë ka ikur, ka ikur. Tani mbetet që të gjitha strukturat duhet të punojnë për të ngritur një Flamurtar të fortë dhe afatgjatë. Akademia është baza për të ngritur një ekip me të ardhme.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"