Dalipi “skanon” 4 javët e para të Tomorit: Prisni surpriza, s’e falim Apoloninë në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2021 | 14:02

Dalipi “skanon” 4 javët e para të Tomorit: Prisni surpriza, s’e falim Apoloninë në shtëpi

Klevis Dalipi “skanon” 4 javët e para. Është i kënaqur me ecurinë, ndonëse pritshmëritë i ka më të mëdha. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, fitoren me Apoloninë e quan “detyrë” shtëpie, ndërsa si kundërshtarin më të konsoliduar zgjedh Bylisin.

Tomori Dalipi

“Pushimi i kampionatit na vjen për shtat. Kemi mundësi që të punojmë për t’u përmirësuar, pse jo, të arrijmë perfeksionin. Po t’i bëjmë një bilanc punës dhe rezultateve tona gjatë 4 javëve të para, unë do ta vlerësoja me nota pozitive. Brenda një periudhe të shkurtër kohe nga starti i kampionatit, rritja është e dukshme.

Gjatë kësaj jave kemi rritur ngarkesat dhe tri herë në javë jemi stërvitur me dy seanca. Ky është shkaku që kam vendosur të mos luajmë miqësorë. Pastaj, në mesjavë kemi edhe Kupë.

Rivalët? Është herët për të folur. Surprizat nuk kanë munguar, por mund të them që vetëm Bylisi ka dëshmuar një lloj pjekurie. Të tjerat do t’i shohim në vazhdim dhe surprizat nuk do mungojnë. Tomori po punon për t’u paraqitur sa më denjësisht dhe grupi që unë kam në dispozicion, është shumë premtues dhe garanton rezultate.

Por, në punën time, mbizotëron e njëjta mendësi. Do t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe çdo gjë në vendin dhe kohën e duhur. Tani po punojmë për ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë në shtëpi. Detyra jonë është jo vetëm loja e bukur, por edhe rezultati pozitiv. Fitorja mbetet objektivi ynë parësor”, u shpreh mes të tjerash elbasanasi i stolit beratas.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"