Dalipi “shtrydh” Apoloninë, te fierakët vjen një portier nga Kosova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2022 | 11:33

Dalipi “shtrydh” Apoloninë, te fierakët vjen një portier nga Kosova

Apolonia vazhdon stërvitjet intensive në Fier.

Apolonia

Klevis Dalipi ka shtuar ndjeshëm ngarkesat dhe vëmendje të madhe po i jep përgatitjes fizike. Shumë vrap, ushtime dhe kërkesë llogarie. Trajneri nuk heziton të ndërhyjë sa dallon ndonjë paqartësi, pasi këtë e sheh si formën e vetëm për të kapur perfeksionin. Faza e deritanishme nuk i ka arritur të gjitha pritshmëritë, sepse grupi është i cunguar.

Edhe pse një pjesë e grupit qëndroi nga vjet, mungojnë afrimet. Zyrtarisht klubi nuk e ka hapur ende merkaton, ndryshe nga shumica e klubeve të Kategorisë së Parë. Drejtuesit mendojnë që “pazarin” ta kryejnë edhe jashtë vendit, por ata që do të vijnë, fillimisht do t’i nënshtrohen provës.

Në seancën e djeshme është vënë re prania e një lojtari të ri. Ai është portieri Fatos Sinani, që ka luajtur në sezonin e fundit në Kosovë me Flamurtarin, ndërsa më parë ka qenë pjesë e klubit të Prishtinës.

Akord me portierin nga Kosova nuk ka, pasi do të jetë në provë për disa ditë. Largimi i portierit “veteran” Endrit Çako e detyron Apoloninë të gjejë pasardhësin. Është planifikuar që deri në nisjen e sezonit, skuadra të jetë e kompletuar dhe gjatë këtyre javëve të zhvillohen disa ndeshje miqësore.

E para do të kryhet sot dhe kundërshtar kanë zgjedhur Bylisin. Ndeshja do të luhet në “Loni Papuçiu” dhe nis në orën 18:00. Ajo do t‘i shërbejë stafit teknik për të bërë ndonjë seleksionim të të rinjve që janë stërvitur gjatë këtyre ditëve.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"