Dalipi kërkon pikët maksimale dhe rokadën: Kam grup solid, e mundim Erzenin me tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2021 | 11:27

Dalipi kërkon pikët maksimale dhe rokadën: Kam grup solid, e mundim Erzenin me tifozët

Tomori ka arkivuar eliminimin nga Kupa e Shqipërisë dhe ka kthyer vëmendjen te Kategoria e Parë. Këtë të diel presin Erzenin dhe llogaritë bëhen vetëm me fitoren. Një trepikësh do të jepte rokadën dhe tashmë vendi i dytë është kthyer në mision te beratasit. Këtë e thotë edhe Klevis Dalipi, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Me paraqitjen që bënë përballë Laçit të mërkurën, trajneri mendon se skuadra është gati për të sfiduar shijakasit.

Tomori Dalipi

“Megjithëse luajtëm me skuadrën e dytë kundër Laçit, bëmë paraqitje dinjitoze. Eliminimi është i hidhur në çdo rast, por loja na ngroh dhe na jep sinjale të forta shprese e morali para Erzenit. Nuk do të jetë e lehtë me shijakasit, por jo e pamundur. Kemi grup solid dhe në harmoni me njëri–tjetrin.

Në përballje të tilla kaq të rëndësishme, duhet të vlerësojmë në maksimum historinë e skuadrës që përfaqësojmë. Çdo futbollist në fushë duhet të dijë të marrë përgjegjësinë e tij dhe të fanellës që mban veshur.

Shpresoj shumë që ndaj Erzenit të kemi mbështetjen maksimale të tifozërisë sonë. Na kanë qëndruar pranë deri më tani dhe me ta në krah, gjithçka bëhet më e thjeshtë”, përfundoi tekniku elbasanas.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"