Dalipi ka gati “kurthin”, 20 minuta analizë për derbin: Kthesa ka nisur, likuidojmë Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2023 | 11:34

Dalipi ka gati “kurthin”, 20 minuta analizë për derbin: Kthesa ka nisur, likuidojmë Apoloninë

Lushnja është gati për derbin. Sot në orën 13:00 presin Apoloninë, në një situatë krejt të pazakontë. Skuadrat do të luajnë një finale të gjithën për mbijetesë. Është një krizë tronditëse, që ndodh për herë të parë në historinë e dy klubeve të Myzeqesë. 25 vjet më parë diskutonin Kupën e Shqipërisë, ndërsa tani duan të evitojnë rënien në Kategorinë e Dytë.

Klevis Dalipi

ANALIZA – Në kampin verdhejeshil preokupimi është shumë i madh para javës së 17-të. Para se të nisnin stërvitjen e fundit, trajneri zhvilloi një analizë me dyer të mbyllura me ekipin. Futbollistët dhe stafi janë sistemuar në katin e dytë të tribunës qendrore të “Roza Haxhiut” dhe qëndruan për rreth 20 minuta. Klevis Dalipi u mundua që të mobilizojë ekipin dhe zbardhë “strategjinë” për ta mundur.

DALIPI – Tekniku elbasanas është optimist para këtij 90-minutëshi, ku përballë do të ketë ish-ekipin. Ai thekson se janë marrë që të gjitha masat dhe tashmë lojtarëve nuk u mbetet tjetër veçse të japin shpirtin në fushë.

“Optimizmi është i lartë dhe besimi është i madh. Tani na nevojitet, që në këto momente të luajmë mirë. Të shpërblehemi me rezultat. Kemi bërë çdo gjë. Grupi është dhe të gjitha rrethanat janë. Tani na duhet vetëm të performojmë. Të shprehemi, të japim shpirtin në fushë”, deklaroi shkurtimisht Dalipi për “Panorama Sport”.

CANKA – Për të “ndezur” atmosferën flet edhe kapiteni. Mikel Canka mendon se kthesa ka nisur dhe në derbi do ta konfirmojnë këtë.

“Derbin e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë. Kemi punuar gjatë gjithë javës për të gjitha pikat e forta që ka kundërshtari. Këtë gjë tani duhet ta tregojmë në fushë. Është një ndeshje që nuk ka nevojë për motivim, pasi vjen vetiu. Përballen dy ekipe elitare në futbollin shqiptar, por që nuk janë më në pozicionet fort komode. Kjo nuk do të thotë që do të jetë e lehtë. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe e fortë. Do të luftohet fort. Ne vijmë pas disa rezultateve pozitive, në tri ndeshjet e fundit. Kthesa ka nisur dhe konfirmimi të vijë nesër (sot). Presim stadium plot, pasi me tifozët në krahë, gjithçka bëhet më e thjeshtë”, deklaroi mes të tjerash sulmuesi i lushnjarëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"