Dalipi e thotë troç: Pa para nuk ia dalim dot…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2018 | 19:16

Dalipi e thotë troç: Pa para nuk ia dalim dot…

Objektivi i Elbasanit sezonin e kaluar ka qenë ngjitja në Kategorinë e Parë, por më e vështira pritet të vijë sezonin e ardhshëm, për shkak të problemeve financiare që po kalon klubi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, zv/trajneri dhe lojtari i Elbasanit në sezonin që sapo lamë pas, Endri Dalipi, shprehet i kënaqur që të paktën skuadra u ngjit në Kategorinë e Parë, por shpreson që gjërat të ndryshojnë sezonin e ardhshëm.

Endri-Dalipi-470x313

“Normalisht detyra jonë ishte që të ngjiteshim në Kategorinë e Parë, ku pavarësisht se nuk ishte e lehtë ia arritëm ta realizonim këtë synim. Falë sakrificës së djemve dhe atyre që na mbështetën gjatë këtij viti të vështirë, bëmë të mundur që të mos qëndronim gjatë në atë kategori që nuk i shkon aspak për shtat një klubi si Elbasani”, u shpreh fillimisht Endri Dalipi. E ardhmja – Më tej, ai foli për të ardhmen e klubit, e cila sipas tij është ende e paqartë dhe më shumë janë informuar nëpërmjet medias se në çfarë situate ndodhen.

Dalipi bën thirrje që të gjenden financa për Kategorinë e Parë, sepse është e pamundur të jesh pretendent pa para. “Për situatën, në të cilën ndodhet klubi, nuk di se çfarë të them, pasi jam informuar më shumë nëpërmjet gazetës suaj dhe nuk di gjëra konkrete. Normalisht presim që situata të marrë për mirë dhe të gjenden financat për rimëkëmbjen e klubit dhe Elbasani të rikthehet në pretendent sezonin e ardhshëm.

Endri Dalipi

Kategoria e Parë ka një tjetër nivel dhe nëse ia dolëm në të Dytën pa para që të ngjitemi, në të Parën kjo gjë është gati e pamundur të ndodhë. Megjithatë, kam besim se do të gjendet një zgjidhje dhe Elbasani të rikthehet aty ku i takon”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën Endri Dalipi, i cili sezonin e kaluar luajti edhe disa ndeshje me verdheblutë për të dhënë kontributin e tij edhe në fushë.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"