Dalipi drejt konfirmimit për te Partizani, Olsi Rama: Nuk e kemi me ngut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2018 | 23:43

Dalipi drejt konfirmimit për te Partizani, Olsi Rama: Nuk e kemi me ngut

Pritja e gjatë e Partizanit ka marrë fund, pasi dje është zyrtarizuar pjesëmarrja në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës. Pas vendimit që KAS mori dje, duke mos e marrë në konsideratë kërkesën e Skënderbeut, Partizani menjëherë ka nisur riorganizimin për të nisur punën për pjesëmarrjen në Europë. Parimisht duket se të kuqtë janë vonë për fillimin e punës, por në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” drejtori i përgjithshëm i “demave”, Olsi Rama, pohoi se lojtarët kanë vijuar me programin individual që u ka dhënë stafi ndaj menjëherë do të nisë konfigurimi i skuadrës.

dalipi

Rama nuk preferoi që të komentojë vendimin e fundit të KAS-it, pasi sipas tij Partizani nuk ishte palë në atë proces. I pyetur se si e vlerëson vendimin e fundit të KAS-it, që nuk mori parasysh kërkesën e Skënderbeut për të marrë pjesë në Kupat e Europës, për “Panorama Sport” drejtori Rama u shpreh: “Nuk kemi qenë palë e këtij procesi, ndaj nuk kam asnjë koment në lidhje me këtë çështje”. Ndërsa në lidhje me vonesën e fillimit të punës dhe cila do të jetë fytyra e skuadrës së edicionit të ri, pasi nuk ka asnjë konfirmim për stafin teknik dhe merkaton, si në hyrje dhe dalje, Olsi Rama deklaroi:

“Sa i përket vonesës, dua të sqaroj se lojtarët i kanë vazhduar përgatitjet duke zbatuar planin individual të dhënë nga stafi teknik në përfundim të sezonit të fundit. Ndërsa për gjërat e tjera që interesoheni, për stafin dhe merkaton, do i vendosim me qetësi këto ditë, pasi tani jemi konfirmuar zyrtarisht për të marrë pjesë në Europë”. Partizani vendosi që të mos bënte publike asnjë lëvizje pa dalë vendimi i KAS-it. Tani është koha për të vërtetuar se sa është punuar këtë periudhë nga drejtuesit dhe cilat janë surprizat. Konfirmimi i Dalipit-

Që nga Marsi dhe deri më sot shumë emra janë lakuar si kandidatë për të marrë drejtimin e Partizanit. Madje me disa prej tyre kanë dorëzuar te drejtuesit projektet e tyre dhe janë zhvilluar disa raunde bisedimesh. Mario Tokiç dhe Mladen Milinkoviç janë përfolur në intervale të ndryshme kohore si më favoritët, por “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë të kuqve se klubi do të konfirmojë Klevis Dalipin. Ndaj sot pritet që Partizani të zyrtarizojë vazhdimin e punës me teknikun elbasanas, i cili menjëherë do të nisë organizimin për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"