Dalipi: Apel arbitrave të mos bëjnë më gabime “humane”, Europën e tentojmë nga Kupa dhe kampionati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 14:28

Dalipi: Apel arbitrave të mos bëjnë më gabime “humane”, Europën e tentojmë nga Kupa dhe kampionati

Në prag të takimit me Flamurtarin, e vlefshme për ndeshjen e kthimit në turin çerek final të Kupës së Shqipërisë, zv.trajneri i Partizani, Klevis Dalipi doli në konferencën për shtyp.

Dalipi

2 ndeshje për 2 javë me Flamurtarin. Ndeshjen e parë në Kupë e keni humbur, si e keni përgatitur sfidën e nesërme?

Jemi përgatitur mirë, por ajo që duhet të thosha përpara se të flisja për vështirësitë e takimit, i bëj thirrje arbitrave të jenë pak më të vëmendshëm në këto gabimet humane që kanë bërë këto javë. Theksoj golin e rregullt të Prognit, dhe ndeshja e kthimit do ishte shumë më e thjeshtë. E përsëris, që nuk jemi për të kërkuar ndihmë, por duke pasur parasysh që diskutohet kualifikimi, këto gabimet e vogla “humane”, bëjnë diferencën. Shpresoj të mos përsëriten më.

Me Flamurtarin duhet patjetër goli që të shënoni. A e shikoni pak të vështirë, duke parë periudhën jo të mirë të sulmit të Partizanit?

Sigurisht që në një ndeshje të tillë, vështirësitë shtohen, duke parë edhe shirat. Ne do të jemi të kujdesshëm gjatë 90 minutave, të neutralizojmë sulmet e Flamurtarit, dhe të shpresojm që me një lojë të mirë, duke dhënë shpirtin në fushë, të shënojmë një gol sa më shpejt të jetë e mundur. Por, them që nuk duhet ta humbim durimin, pasi nëse pësojmë, do e kemi akoma më të vështirë. Kam besim që skuadra do shfaqet më së miri. Besoj se me Flamurtarin do të shënojmë.

dalipi

Nga cili kompeticion mendoni se ka më shumë shanse Partizani të arrijë Europën?

Besoj se të dyja janë paralel, por kjo është më e lehtë. Pasi një kualifikim në Kupë, do na jepte avantazh. Edhe në kampionat, këtë javë ishim shumë pranë arritjes në vendin e tretë.

Çani duket se do të mungojë sërish. Si do të zgjidhet çështja e sulmit tek Partizani?

Në çdo konferencë përmendet Çani, por unë jua kam thënë se ai është në një program stërvitor, të cilin do ta zbatojë me përpikmëri. Nuk duam të bëjmë gabime. E gjithë skuadra, edhe stafi mjekësor është në dispozicion jo vetëm për Çanin, por edhe për Fejzullahun që është rikthyer me skuadrën. Kur Çani të jetë gati, do të jetë në organikën e skuadrës.

Rikthimi i Çanit do shtyhet edhe me disa javë?

Këtë do ia lemë kohës, por Çani do të kthehet në skuadër vetëm kur të jetë gati plotësisht.

Europa objektiv. Nga kampionati thatë që keni mundësi ta arrini, por Kupa shihet si komërdarja e shpëtimit të sezonit.

Sigurisht që matematikisht nuk ka mbaruar, por titulli kampion është larg. Ne do të synojmë Kupën. Nesër do të futemi në fushë për t’u kualifikuar. Mund të kemi edhe një trofe si Kupa, nëse nuk arrijmë titullin.

Kush mendoni se mund ta zgjidhë nesër ndeshjen?

Dua të theksoj se Flamurtari është një skuadër e mirë organizuar dhe shumë e fortë. Në dy përballjet që bëmë, i kemi parë cilësitë e kundërshtarit. Por, edhe duke parë cilësitë e skuadrës sonë, në ndeshjen e nesërme, skuadra do të japë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv.

Progni dhe Bardhi mungojnë në fundjavë ndaj Kukësit. A shpresoni që nesër të dy të japin më të mirën?

Ata kanë luajtur shumë mirë deri tani, dhe këtë gjë do e bëjnë edhe nesër.

Nëse fitoni me Kukësin, keni mundësi të arrini Europën. Nëse do kishit një zgjedhje, do dëshironit kalimin e turit në Kupë, apo fitoren me Kukësin?

Ne do të fokusohemi që ndeshjen e nesërme ta fitojmë, dhe t’i marrim një nga një. Ky është objektivi ynë i parë. E dimë vështirësinë e kësaj ndeshjeje. Na duhet një kthim rezultati. Loja është e hapur dhe ne do tentojmë. Më pas, do mendojmë për Kukësin.

Ndaj Laçit shumë pak tifozë. Keni një mesazh apo apel?

Mesa di, klubi është në bisedim e sipër, dhe po e zgjidh këtë situatë. Edhe ne si staf apo edhe vetë lojtarët, e ndjenjë mungesën e tyre. Ai është lojtari i 12-të i joni, dhe na jep kurajë gjatë gjithë ndeshjes. I bëj thirrje të vijnë në numër të lartë, siç e kanë traditë, dhe të na mbështesin në këtë ndeshje delikate.

Ky është Partizani i Starovës apo i Dalipit?

Starova është trajneri i pari, sigurisht që është Partizani i Starovës. Gjithsesi, unë bëj pjesë tek stafi i Partizanit dhe e them që kam qenë dhe jam i gatshëm në dispozicion të klubit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"