Dajan Shehi: Vllaznia është e madhe, do kthehemi në normalitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2020 | 22:12

Dajan Shehi: Vllaznia është e madhe, do kthehemi në normalitet

Dajan Shehi e shikon pozitivisht të ardhmen e Vllaznisë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi pohoi se problematikat duhen hedhur pas dhe tani të mendohet vetëm për të mbyllur sa më mirë këtë sezon. Kupa mbetet një nga objektivat e këtij sezoni për kuqeblutë. Shehi nuk e fsheh dëshirën për të vazhduar sërish me Vllazninë, pavarësisht ofertave që kanë mbërritur në drejtim të tij.
dajanshehi
U rikthyet pas një problematike. Sa të gatshme e shikoni skuadrën?
Në fakt, kohët e fundit jemi hasur me problematika që na kanë shqetësuar të gjithëve. Sigurisht që kjo ndikon drejtpërdrejt te ne, por duke qenë se jemi futbollistë profesionistë, e kemi marrë situatën e krijuar me sportivitet. Duhet të hedhim pas problemet që ndodhën edhe për hir të emrit të Vllaznisë e të tifozëve që na përkrahin gjithmonë. Kështu që, duhet të vazhdojmë e të stërvitemi pas një pezullimi të gjatë kohor.

Pas një bojkoti flitet për normalitet. A jeni të një mendimi që gjithçka do të jetë normale?
Pas epidemisë sigurisht që do të kishte probleme dhe mangësi të disa gjërave dhe ishim të vetëdijshëm për to. Mendoj se gjërat do të normalizohen, sigurisht, sepse është në të mirën e të gjithëve. Kemi folur gjatë me drejtuesit dhe kemi rënë dakord dhe kemi bërë marrëveshje që të dyja palët të jenë të kënaqura. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet në të mirën e përbashkët.

Pavarësisht pandemisë, keni thënë se stërvitjen individuale s’e keni lënë. Sa ju ka ndihmuar?
Sigurisht që stërvitjen individuale nuk e kam lënë asnjë ditë pas dore. Pa të nuk kam se si të ruaj formën sportive. Futbolli për mua, pavarësisht se është kthyer në profesion, mbi të gjitha është pasion. Kjo më ka bërë që të stërvitem mjaftë mirë në kushtet e shtëpisë. Kushte minimale, por që ia ka vlejtur.

A janë të mjaftueshme kaq ditë për të kapur formën optimale?
Normalisht që janë pak ditë dhe do të duhen edhe dy javë të tjera për të kapur formën, por po bëjmë nga dy seanca stërvitore dhe po përgatitemi shumë fort.
VLLAZNIA
Vllaznia i ka shanset për t’u shkëputur nga ai vend në të cilin ndodhet?
Dihet që dëshira jonë e madhe është që të largohemi nga ai pozicion që ndodhemi për momentin, por për të ndodhur kjo sigurisht që do shumë punë dhe ne po punojmë për të arritur në majat e klasifikimit. Vllaznia është ndërtuar për lart. E kam thënë shumë herë që ky ekip është ndërtuar për të shkuar në Kupat e Europës. Duhet të largohemi sa më shpejt nga ai pozicion, pasi nëse e mbyllim në atë vend, do të ishte një kampionat i dështuar për ne.

Kupa mbetet një objektiv real për Vllazninë?
Objektivi ynë kryesor këtë sezon është Kupa e Shqipërisë, mundësitë i kemi që të shkojmë deri në fund dhe të arrijmë ta fitojmë Kupën. Do të ishte diçka e mrekullueshme për tifozët dhe për ekipin.

Rifillimi ju rezervon takimin me Flamurtarin në Vlorë. Cili është objektivi i Vllaznisë për këtë sfidë?
Pa asnjë dyshim që qëllimi është vetëm fitorja. Do të shkojmë për të marrë tri pikë, pasi do të jenë shumë të rëndësishme për ne në këtë start të rikthimit.

E shikoni sërish veten te Vllaznia në sezonin tjetër?
Për momentin jam i përqendruar te ky sezon, pasi ka qenë një vit pozitiv për mua dhe dua që ta mbyll sa më mirë. Normalisht që kam pasur edhe oferta nga ekipet e tjera, por akoma nuk jam ulur të flas me drejtuesit dhe të diskutojmë të ardhmen time. Në Shkodër jam ndier vërtet mirë dhe në qoftë se do të jetë dëshira e të dyjave palëve, do të vazhdoj të jem pjesë e ekipit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"