“Daja s’ka grupin e duhur, por ia del”, rrëfehet Endri Vrapi: Ju tregoj defektin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 23:16

“Daja s’ka grupin e duhur, por ia del”, rrëfehet Endri Vrapi: Ju tregoj defektin e Partizanit

Ish-mbrojtësi i Partizan it, Endri Vrapi, është një ndër futbollistët më të njohur shqiptarë. Dikur ishte dhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa për “demat e kuq”, u aktivizua në sezonin 2014/15, duke luajtur 36 ndeshje në total.

Vrapi

Vrapi ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku ka analizuar ecurinë e Partizanit deri më tani këtë sezon, si dhe tregoi se presidenti Demi ka ego për të dy trofetë, prandaj dhe trajneri Daja duhet t’i marrë maksimumin futbollistëve që ka në grup.

Tri fitore në katër ndeshjet e para për Partizanin këtë sezon. Si e parashikoni këtë edicion për të kuqtë?

Për momentin, Partizani duket sikur ka krijuar stabilitet me ardhjen e Dajës në pankinë, por kjo do shihet dhe në vazhdim, gjë që trajneri Daja e ka vërtetuar në çdo skuadër, që ka grup të shëndetshëm dhe cilësor.

A mendoni se Partizani mund të luftojë deri në fund për të dy trofetë?

Sa i përket trofeve, Partizani gjithnjë synimin e ka për të marrë të dy titujt. Duke parë dhe egon e presidentit Demi, Partizani do luftojë për të dy trofetë dhe i ka mundësitë për ta bërë një gjë të tillë.

Keni luajtur 36 ndeshje për Partizanin si qendërmbrojtës. Duke e njohur mirë këtë pozicion, çfarë mendimi keni për dyshen Belica-Bitri?

Të dy futbollistët e qendrës së mbrojtjes janë me eksperiencë, kanë aftësitë e duhura, por e ritheksoj, që me trajnerin Daja do bëhen akoma më profesionistë në pozicionet e tyre.

endri vrapi

Asani, Solomon apo dikush tjetër, cili mendoni se do të jetë golashënuesi më i mirë i Partizanit këtë sezon?

Partizani nuk është shquar të ketë goleador pas ikjes së Ekubanit dhe forca e Partizanit ka qenë grupi. Po ta shikojmë, ka shpërndarje golash, kam shumë besim që Asani do rikthehet protagonist këtë kampionat. Pres dhe Çinarin sepse kemi parë që dhe ai ka qenë vendimtar në ndeshje të veçanta.

Mendoni se trajneri Daja është i duhuri për ta rikthyer Partizanin te titulli kampion?

Besoj se trajneri Daja e ka vërtetuar që është kampion dhe besoj që do të rivalizojë deri në fund dhe pse jo, të kërkojë dhe të dalë kampion me Partizanin.

Thonë që sulmi të fiton një ndeshje, ndërsa mbrojtja titullin. Mendoni se Partizani ka kontingjentin e duhur në prapavijë që të luftojë për vendin e parë?

Duke u nisur nga kontingjenti, mendoj që Daja nuk e ka pas siç ka dashur, sepse është penalizuar nga merkatoja. Gjithsesi, jam i bindur se trajneri do t’i marrë maksimumin lojtarëve dhe do t’ia arrijnë objektivave që ka klubi.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"