Daja: Si shqiptar dua rezultate pozitive, por në Serbi përballë Partizanit është e pamundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2017 | 8:40

Daja: Si shqiptar dua rezultate pozitive, por në Serbi përballë Partizanit është e pamundur

Pas ndeshjes së djeshme në Kupë ndaj Mamurrasit, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja është shprehur i kënaqur në lidhje me pushimin e kampionatit.

Daja

“Ky pushim i kampionatit erdhi në momentin e duhur për Skënderbeun, pas ngarkesës vërtet shumë të lartë që ne kishim me ndeshje të shumta. Kthehemi pas dy ditëve të pushimit për t’u fokusuar vetëm te ndeshja e radhës që ne kemi ndaj Laçit mesjavën e ardhshme. Do të përqendrohemi 100% vetëm te ai takim edhe për atë, se titulli kampion nuk fitohet asnjëherë vetëm duke fituar me të mëdhatë, por duke fituar me të voglat.

Nëse fiton ndaj të mëdhave, titulli shkon deri në 30%, ndërkohë që pikët e tjera janë me të voglat dhe prandaj ne duhet të bëjmë detyrën tonë me ekipet e tjera. Në fakt, edhe pas pushimit ne do të kemi ndeshje të shumta, por që duhet të rigjejmë energjitë që kishim humbur gjatë kësaj periudhe dhe nga e mërkura e ardhshme do të jemi gati për të vijuar sërish me të njëjta rezultate, atje ku e lamë”, ka thënë Daja.

EUROPA

Ndeshjen e radhës në Europë, Skënderbeu do ta luajë ndaj Partizanit të Beogradit në “Elbasan Arena”, ku korçarët do të kërkojnë një rezultat pozitiv. Ndërsa në Serbi, sipas tij, ky mision është i pamundur.

“Sa për Partizanin e Beogradit, dua të them se ka kohën e vet për të menduar edhe për atë ndeshje. Çfarë do të bëjmë ndaj Laçit dhe Lushnjës, do të reflektohet ndaj Partizanit të Beogradit. Por tek ai takim, ka mobilizim tjetër, entuziazëm tjetër, dëshirë tjetër dhe gjithçka tjetër nga këto që ne luajmë në Superiore.

Ndaj Partizanit të Beogradit koefiçenti i vështirësisë është i madh pas ngjarjes që ndodhi në Beograd me Kombëtaren tonë. Unë mendoj që ne si skuadër nuk duhet ta kemi këtë dozë emocionale dhe të fokusohemi vetëm tek ai takim, gjithmonë kur të vijë momenti dhe këtë do t’ua transmetoj edhe lojtarëve të mi.

Nëse flas si shqiptar, absolutisht që do të doja rezultate pozitive. Në pozicionin e trajnerit, mendoj se në Serbi është e pamundur, pasi dihen kualitetet që kanë ekipet që ne do të përballemi. Por, gjithsesi, futbollit asnjëherë nuk i dihet dhe ëndërrohet. Pritshmëritë janë për një lojë me performancë të mirë”, përfundon Daja.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"