Daja “qan” dy pikët: Sot treguam karakter, pishman vetëm rezultatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2017 | 20:24

Daja “qan” dy pikët: Sot treguam karakter, pishman vetëm rezultatin

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është i pakënaqur vetëm me rezultatin pas barazimit 2-2 ndaj Tiranës. Sipas tij, ekipi sot bëri gjithçka mirë dhe ishte dominues ndaj kundërshtarit, por u ndëshkua nga dy goditje standarde. Në një prononcim për “Gol pas goli”, Daja ndërkohë mohoi problemet me Tefik Osmanin, të cilin sot e la në stol.

Komentet e Ilir Dajës pas ndeshjes:

Daja

Për tri pikët

“E pata thënë edhe përpara që sfida ndaj Tiranës ishte e vështirë, por e bëmë më të vështirë pasi pësuam gol nga goditjet standarde. Besoj se ekipi tregoi karakter, edhe pse ishim në disavantazh arritëm të barazonim. Besoj se kemi dominuar fushën, luajtëm gati për 20 minuta me pesë sulmues. I provuam të gjitha. Nuk kemi asnjë pishman përveç pikëve, gjithçka e kemi bëmë mirë”.

Gjendja fizike

“Ajo që ishte në dallim me ndeshjen tjetër, nuk është rënia fizike. Ne sot nuk kishim emocione. Edhe pse në disavantazh, ne vazhduam të ndërtonim sulme. Nuk u ndje gjendja fizike, sepse luajtëm gjatë gjithë kohës në sulm. Kundërshtari nuk na rrezikoi me kundërsulme, ndaj them se gjendja fizike nuk ka lidhje. Nëse tregojmë karakter, do vijnë rezultatet e duhura”.

Ekuilibri

“Unë do të thosha që kemi qenë më të ekuilibruar se në ndeshjen me Teutën. E kishim menduar ta nisim ashtu lojën, me tre lojtarë që do t’i jepnin freski mesit të fushës. Por kartonët e marrë nuk lejuan Orelesin dhe Nimagën të luanin lirshëm. Ne nuk kemi pasur probleme në mbrojtje. Duhet të kishim qenë më të kujdessshëm në goditjet standarde. Përveç trepikëshit, ekipi sot i përmbushi të gjitha detyrat. Ishim dominues ndaj kundërshtarit, por mund të them se na mungoi edhe fati”.

Osmani

“Osmani në këto pesë javë të para është paraqitur shumë mirë, por ka luajtur në çdo ndeshje të kampionatit dhe Kupës. Donim të bënim rotacion për t’i dhënë freski ekipit. Rotacion do të ketë gjatë gjithë kohës, kjo nuk ka të bëjë me Osmanin. Kam biseduar me të, ndaj nuk ka asnjë çështje ‘Osmani’. Të gjithë janë të pakënaqur kur nuk luajnë, por do të aktivizohen atëherë kur do të jetë nevoja. Këtë e kam jo vetëm për Osmanin, por për të gjithë. Probleme të vogla ka edhe në një familje me tre apo katër veta, jo më në një me 25. Ato çka kemi i mbajmë brenda vetes dhe i zgjidhim mes nesh”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"