Daja: Nuk kemi mbyllur akoma asgjë, duam të përmirësojmë lojën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 14:44

Daja: Nuk kemi mbyllur akoma asgjë, duam të përmirësojmë lojën tonë

Skënderbeu do të presë i qetë në shtëpi Teutën për ndeshjen e kthimit, pasi takimin e parë korçarët e fituan me rezultatin 0-2. Edhe pse duket sikur do të jetë një përballje pa shumë histori sfida e kthimit, trajneri Daja kërkon nga të tijtë që të ruajnë përqendrimin.

Daja

A do të jetë ndeshja e kthimit ndaj Teutës thjesht formalitet për Skënderbeun?

Nuk do të thosha se është formalitet ndeshja e kthimit, edhe pse kemi bërë një hap të mirë, duke fituar 0-2 në transfertë. Specifika e kupës është e tillë, me 180 minuta, kështu që do të respektojmë garën që të kthehemi në performancën që kemi pasur, pse jo ta përmirësojmë atë.

Formacioni për këtë ndeshje?

Ende po diskutojmë me stafin. Ka një anë që po e trajtojmë, atë që kush do që të veshë fanellën e Skënderbeut, ka 6 ditë kohë të tregojë formën e vet dhe të na thotë: jam edhe unë këtu, pjesë e rëndësishme e ekipit. E dyta është se ndonjë lojtar që ka pasur probleme shëndetësore, siç është Jashanica, i cili ka një dëmtim të lehtë, mund ta ruajmë. Do të shohim se çdo të bëjmë nesër, rotacion apo minutazh për ritmin e duhur.

Sfida ndaj Kamzës në fundjavë?

Është bërë filozofi e klubit tashmë që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Jemi të fokusuar te Teuta, pasi nuk kemi mbyllur ende asgjë. Nuk ke të drejtë të gabosh në kupë. Natyrshëm që 11  pikë diferencë në kampionat na japin qetësi, por që të nesërmen e ndeshjes me Flamurtarin kemi folur dhe duam ta ruajmë këtë standard, pse jo ta thellojmë më tej, duke përmirësuar lojën tonë. Pas Teutës do të fokusohemi te Kamza, me të cilën kemi dy barazime në këtë kampionat. Kjo bën që ta vlerësojmë maksimalisht, sepse në fund të fundit, 3 pikët janë njësoj si ndaj Flamurtarit dhe Kukësit, ashtu edhe ndaj Kamzës, Teutës etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"