Daja: Nuk është e zakonshme të luajmë në këto nivele, por kërkojmë fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2017 | 18:54

Daja: Nuk është e zakonshme të luajmë në këto nivele, por kërkojmë fitore

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka pranuar se për ekipin që ai drejton, nuk është një gjë shumë e  zakonshëm që të luajë në këto nivele në Europë, edhe pse arrin në fazën në grupe për të dytën herë në tre vitet e fundit. Në konferencën e sotme për shtyp, ai pranoi se ekipi i Dinamos së Kiev ishte favorite për këtë sfidë, por edhe se skuadra e tij do të luftonte për të marrë fitoren ndaj çdo rivali.

ilir daja

“Nuk është diçka e zakonshme për ne të luajmë ndeshje në këto nivele, ndaj padyshim favorite për duelin është Dinamo. Por ne me siguri që do të kemi shanset tona dhe do të mundohemi të tregojmë lojën tonë. Edhe skuadrat e tjera në grup kanë më shumë eksperiencë, por do të luftojmë edhe me ta për t’u munduar që të marrim disa fitore”, tha ai.

I pyetur për njohuritë që kishte për Dinamon falë miqësoreve të disa viteve më parë, Daja theksoi se për të, situatat ishin krejtësisht ndryshe. “Në atë periudhë nuk punoja për Skënderbeun, ndaj është më mirë që pyetjet t’ia drejtoni kapitenit. Por sipas mendimit tim, ndeshjet miqësore nuk mund të krahasohen me ato zyrtare”, vijoi tekniku.

Në dy ndeshjet e para zyrtare të sezonit, Skënderbeu ka arritur fitore në Kupë dhe në kampionat. Por Daja u ka bërë të qarët ukrainasve se nuk mund të bëheshin krahasime të tilla me aktivitetet ndërkombëtare. “Ndeshjet në fazën në grupe të Ligës së Europës nuk mund të krahasohen me ndeshjet e kampionatit shqiptar, ky është një nivel krejt tjetër. Por ne do të mundohemi të paraqitemi me dinjitet në këto sfida”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"