Daja: Në Durrës fillon 0-0. Mjaft me aleanca, po boshatisim stadiumet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2017 | 10:03

Daja: Në Durrës fillon 0-0. Mjaft me aleanca, po boshatisim stadiumet!

Ilir Daja i ka idetë e qarta. Trajneri i Skënderbeut i do të dyja trofetë dhe është i bindur se skuadra e tij luan sot në Durrës për të kapur finalen. Në një intervistë për “Panorama Sport” nga rezidenca e korçarëve në qytetin bregdetar, kreu i pankinës foli për rëndësinë që ka ndeshja e kthimit me Teutën dhe kampionatin.

Daja zbuloi se u ka thënë lojtarëve që të mos e mendojnë avantazhin e ndeshjes së parë, ku Skënderbeu fitoi me shifrat minimale 1-0 në Korçë. Trajneri është i bindur se titulli kampion do të vendoset në ndeshjen e fundit me Partizanin, por ka vetëm një merak: “Të shkurtojmë diferencën, pasi nuk jemi të favorizuar nga përballjet direkte ndaj Partizanit”.

Daja

Zoti Daja, luani sot ndeshjen e kthimit ndaj Teutës. Ndiheni të favorizuar pas fitores 1-0 në takimin e parë në Korçë?

Të jem i sinqertë, në analizën që kam bërë me lojtarët, u kam kërkuar që të mos mendojnë se kemi fituar takimin e parë. Duhet ta nisim ndeshjen sikur jemi 0-0 dhe jo 1-0 për ne. Nëse e mendojmë që kemi avantazh, ky do të ishte gabimi më i madh që mund të bëjmë. Do të luajmë për të fituar ndeshjen dhe jo për të mbrojtur atë rezultat që arritëm në Korçë. Kemi një përballje të vështirë në Durrës, pasi Teuta ka një skuadër të mirë dhe në fushën e vet luan shumë fort.

Në vitet e fundit, ekipi durrsak është kthyer në një “mace të zezë” për Skënderbeun, madje u ka marrë pikë edhe në Korçë. Çfarë prisni nga ky takim për Kupën?

E përsëris që Teuta ka ekip që zhvillon lojëra të mira. Skënderbeu dihet që bën lojë të hapur dhe besoj do të kënaqen tifozët. Një gjë është e sigurt: skuadra ime shkon në këtë takim për të kapur finalen.

Do të luani tri ndeshje radhazi në transfertë. Është ky momenti që Skënderbeu do të mësojë fatet e sezonit?

Nuk mendoj kështu, pasi të gjitha ndeshjet janë vendimtare, s’ka më takime të lehta apo të vështira. Nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar, madje edhe Korabi që mund të quhet i rënë, duhet respektuar. Kemi eksperiencën e vitit të kaluar, ku Skënderbeu gaboi me Tërbunin dhe Partizani ndaj Bylisit, të dy ekipe të rëna nga kategoria. Për mua vendimtar është çdo takim dhe duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e radhës e më pas te kundërshtari që e ndjek.

Fakti që luani në Laç dhe Gjirokastër, për më tepër me ekipe që duan pikë mbijetese, sa ua vështirëson rrugën drejt titullit?

Kalendari është i njëjtë për të gjithë. Në kampionat ka një ndarje tashmë, pasi tre ekipe luftojnë për kreun, Luftëtari dhe Vllaznia për vendin e katërt, si dhe të tjerat për mbijetesë. Më këtë dua të them që ne dhe rivalët do të ndeshen me këto ekipe që kërkojnë pikë.

Prandaj e theksoj që në këtë fazë nuk besoj shumë te kompromiset dhe aleancat, pasi të gjithë kanë nevojë për pikë. Ne do të shkojmë për pikët maksimale në Laç dhe Gjirokastër, pasi nuk na bën punë asnjë rezultat tjetër, përveç fitoreve në këto transferta.

skenderbeu formacioni

E prisnit të ndalej Partizani në Shkodër?

Ne së pari shikojmë ecurinë e Skënderbeut, pra duhet që të bëjmë mirë detyrën tonë. Nëse nuk fitojmë ne, çfarë vlerash ka nëse rivalët gabojnë. Natyrisht, barazimi i Partizanit në Shkodër na jep mundësinë që të jemi më të ngjeshur në renditje me kreun. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se Vllaznia dhe Luftëtari janë në garë për vendin e katërt, që mund t’i dërgojë në Kupat e Europës. Në fund të fundit, kanë bërë detyrën e tyre, duke luftuar për këtë pozicion.

Duket sikur aleancat janë të pashmangshme në këtë pjesë të sezonit. Cili është pozicioni i Skënderbeut?

Nuk më interesojnë aspak këto zëra, madje java e fundit e vërtetoi. Këto zëra duhet të zhduken për sa kohë nuk janë të vërteta, duke filluar nga drejtuesit apo edhe ne trajnerët. Nëse ne flasim, atëherë tifozët largohen nga stadiumet. Nëse këto dalin nga goja jonë, sigurisht që sportdashësit do të jenë më të ftohtë dhe nuk do të afrohen në stadium. Ky është një gabim që bëhet duke aluduar për gjëra që mund të mos kenë pikën e vërtetësisë.

Gjithsesi, kalendari ofron përballjet direkte në dy javët e fundit. Mendoni se deri atëherë mund të jetë zgjidhur çështja e titullit?

Gara do të jetë e hapur deri në fund. Unë kam ide të qarta sa i përket ecurisë së skuadrës sime dhe jo si ecin kundërshtarët. Titullin e vendosin ndeshjet direkte dhe aty do të përcaktohet fituesi.

Ndaj Kukësit dhe Partizanit keni një bilanc negativ, ua bën kjo shumë më të vështirë përmbysjen në fund?

Bilanc negativ kemi vetëm me Partizanin, pasi me Kukësin kemi vetëm një humbje dhe mund ta rikuperojmë në ndeshjen direkte. Duhet që deri në ndeshjen me Partizanin diferenca mos të jetë tri pikë, por më pak. Kam besim të plotë që në fund nuk do të jetë kjo diferencë pikësh dhe Skënderbeu do të bëjë të pamundurën që të fitojë titullin. Do të ishte shumë më e bukur nëse këtë do ta fitonim në shtëpi ndaj Partizanit.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"